Pas 20 vitesh histori, edicioni i 17 i Festivalit Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja” çeli siparin mbrëmjen e së premtes, me 15 konkurrentë nga Kina, Koreja e Jugut, Turqia, Shqipëria, Greqia, Italia, Franca, Rusia, Ukraina dhe Spanja.

Përballë jurisë ndërkombëtare, konkurrentët interpretuan në garën e arieve dhe në garën e këngs. Ovacionet në sallë ishin të mëdha dhe publiku duket se i ka përzgjedhur të preferuarit e tij. Mbrëmjen e djeshme, juria është mbledhur për të vendosur se cilët do të jenë 8 finalistët për të shpallur mbrëmjen e sotme më të mirët e edicionit të 17 të Festivalit Ndërkombëtar “Marie Kraja” në 20-vjetorin e themelimit.

Juria ndërkombëtare kryesohet nga drejtori i Opera Europës, Nicolas Payne.

Finalja e së shtunës kulmon me 4 çmime: çmimi i parë, i dytë, i tretë dhe kënga më e bukur.

Të ftuar specialë do të jenë tenori me famë botërore, drejtor i rrjetit të operave të Turqisë, Murata Karahan dhe me performancën ekskluzive për herë të parë në Shqipëri të violinistit Elvon Hoxha, fitues i kompeticioneve më të rëndësishme ndërkombëtare.

Top Channel