Duhej të ishte zgjidhja e shumë të këqijave në fushën e lojës dhe sistemi që do të luftonte dyshimet dhe komplotet. Por, nuk ishte kështu, të paktën nga eksperienca e deritanishme.

Në futbollin italian, sistemi i videoarbitrimit (VAR) nuk e ka larguar hijen e problemeve nga vendimet e arbitrave, madje ka shumëfishuar polemikat dhe interpretimet.

Në thuajse dy vite bilanc me sistemin VAR, janë të shumtë ata që janë zhgënjyer për një projekt që e mendonin si zgjidhje, por që po konfirmohet si makth. Në një epokë ku teknologjia ka bërë diferencën në shumë disiplina sportive, si volejbolli apo regbija, në futboll rebusi është i pazgjidhshëm.

Arbitrat, me ose pa moviolë, po kushëzojnë renditjet e kampionateve.

Në ndeshjen e fundit në Serie A, Roma-Empoli, skuadra toskane barazoi në minutën e fundit, por rrjeta u anulua nga sistemi VAR. Pamjet lanë shumë dyshime dhe, sipas ekspertëve, goli ishte i vlefshëm. Por ky është vetëm shembulli i fundit. Ka një element të shtuar në Serie A që ndryshon nga sezoni i kaluar.

Nëse vjet tifozët pranonin me durim vendimet e kamerave, tani vërshëllejnë dhe ofendojnë sa herë gjyqtarët drejtohen nga ekrani, shenjë e qartë se besueshmëria në teknologji, të paktën në futbollin e Apenineve është zhdukur prej javësh.

Top Channel