Partizani nuk shfrytëzon dot mundësinë për t’u shkëputur në krye të renditjes dhe për të vendosur njërën dorë te titulli kampion.

Të kuqtë u mposhtën 1-0 në Laç. Një gabim i Atandës dhe një vendim i dyshimtë i anësorit Rejdi Avdo për të ndryshuar vendimin e kryesorit Klajdi Kola që akordoi faull në limitet e zonës, duke akorduar penallti për një ndërhyrje brenda zone të mbrojtësit nigerian ndaj Elvi Berishës, i mjaftoi Laçit për të marrë fitoren e parë në kampionat në vitin 2019 dhe për të mbajtur më të hapur se kurrë garën për titull në Superiore.

Në minutën e 13 Shtubina mposhti Alban Hoxhën nga 11 metra distancë, një gol që u mjaftoi vendasve për të marrë tre pikët dhe për të hedhur pas shpatullave krizën e javëve të fundit.

Pas kësaj humbjeje të Partizanit diferenca mes vendit të parë dhe atij të dytë nga 8 pikë që ishte një javë më parë është ngushtuar në 7 pikë pas fitores së Teutës ndaj Kukësit që ngjiti durrsakët në vendin e dytë.

Top Channel