Rikthehet MurAL Fest Tirana, transformimi i Tiranës në një imazh plot ngjyra dhe jetë (Foto)

16/02/2019 10:36

Pas suksesit në vitin e parë, rikthehet për të dytin vit Festivali i arteve urbane i quajtur MurAL Fest Tirana që do të zhvillohet nga data 1 deri në 8 qershor të këtij viti.

Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjet për të gjithë ata artistë që duan të bëhen pjesë e këtij festivali ngjyrash, ku tematika do të jetë e lirë në mënyrë që vepra të shkrihet me fasadën përkatëse në varësi të hapësirës urbane që do të zërë.

Ky fetival i organizuar nga Bashkia e Tiranës synon t’i japë një imazh të ri hapësirave të qytetit duke sjellë një energji shumë të bukur e duke lënë një muze të hapur në natyrë.

MurAL Fest Tirana është një kontribut unik, i cili do t’i japë qytetit një nxitje për transformimin e Tiranës në kryeqytetin e artit dhe kulturës, një urë tregimesh të reja vizuale në Ballkan, si dhe bashkëpunime të pandërprera. Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj janë të ndërthurura, duke u rritur në mure dhe reinventuar në një përzierje të gjuhëve në një mënyrë për të krijuar identitetin dhe ridizajnimin e hapësirës urbane, duke synuar ndërtimin e një historie të re.

Ky shkëmbim kulturor ka kaluar kufijtë dhe ka krijuar në kryeqytetin e Tiranës një pikë të ngrohtë pritëse të artit. Vitin e shkuar, pjesëmarrës në Mural Fest ishin një grup artistësh urbanë me famë ndërkombëtare, pjesa më e madhe e të cilëve erdhën nga Italia.

Të tjerë artistë ishin nga Shqipëria, Serbia, Franca, Uruguai, Bullgaria, Rumania, etj. Qytetarët e Tiranës u bënë dëshmitarë të një ngjarjeje të veçantë, frytet e së cilës po i shijojmë çdo ditë në hapësirat urbane të qytetit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel