Lojtarët e Atalantës, duke përgëzuar Gjimshitin për golin ndaj Interit.

Atalanta frenon Interin nga seria e rezultateve pozitive në elitën e futbollit italian, Serie A.

Në Bergamo, skuadra e Gasperinit fitoi me meritë ndaj zikaltërve, me rezultatin e thellë 4-1, në një sfidë ku vendosi firmën e tij edhe mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Berat Gjimshiti.

Bergamaskët e morën avantazhin në minutën e 9 të ndeshjes, me Hatebor, por në fillimin e pjesës së dytë Interi barazoi përkohësisht rezultatin me Icardin, që mposhti Berishën nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Pas kësaj, gjithçka foli për Atalantën, që rimori avantazhin me anë të mbrojtësit Mançini pas një krosimi të Iliçiç.

E njëjta pamje u pa edhe në minutën e 89, kur mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare Gjimshiti bëri që Handanoviç të dorëzohej për herë të tretë, teksa shënoi golin e tij të parë në Serie A.

Interi pa që Brozoviç të ndëshkohej me karton të kuq, ndërsa Atalanta mbylli llogaritë e sfidës me golin e katërt, të shënuar nga Gomez.

Top Channel