Pas dorëheqjes së Lazer Matijas, trajneri i Kombëtares së vajzave merr rolin e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Shkodër

16/10/2026 15:11

Armir Grima është kryetari i ri i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër. Ky është përfundimi nga votimi i kryer nbë Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme në Shkodër, ku trajneri i Kombëtares shqiptare të vajzave mori 20 nga 21 votat e anëtarëve me të drejtë vite të kësaj shoqate, ndërkohë që në Asamble morën pjesë 30 delegatë.

Pas mbetjes vakant të pozicionit të kryetarit, pas dorëheqjes së Lazer Matijas, drejtuesit e Shoqatës vendosën thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme për të vijuar procesin e drejtimit dhe funksionimit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër.

Pas zgjedhjes në krye të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Armir Grima falënderoi anëtarët për besimin e dhënë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët për zhvillimin e futbollit në të gjithë rajonin.

‘Të nderuar anëtarë të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër. Ju falënderoj sinqerisht për besimin që më dhatë sot dhe për mbështetjen tuaj. E vlerësoj këtë përgjegjësi dhe e marr me respektin e duhur ndaj Shoqatës, anëtarëve të saj dhe traditës së futbollit në Shkodër. Besoj se puna jonë në vijim duhet të mbështetet mbi bashkëpunimin, komunikimin dhe angazhimin e përbashkët të të gjithë anëtarëve. Ka shumë për të bërë dhe synimi im është që, së bashku, të vijojmë të forcojmë aktivitetin e Shoqatës dhe të krijojmë sa më shumë mundësi për zhvillimin e futbollit në të gjithë rajonin.Dua të falënderoj Komisionin e Verifikimit për punën dhe profesionalizmin e treguar gjatë procesit zgjedhor, si dhe të gjithë ju për besimin e dhënë. Ju siguroj se do të jem i angazhuar për të përfaqësuar interesat e Shoqatës dhe për të punuar në bashkëpunim me të gjithë anëtarët e saj. Faleminderit edhe një herë për besimin. Ju uroj punë të mbarë dhe suksese për Shoqatën Rajonale të Futbollit Shkodër’ – tha Armir Grima.

Top Channel