Një numër i thjeshtë në fanellë mund të kthehet në shkak sanksionesh, madje edhe në kategoritë amatore.

Së fundmi, komisioni disiplinor i CSI në Reggio Emilia ka gjobitur dy skuadra të futbollit me 7 lojtarë, The Mount Peli dhe Masone Suave City, pasi aktivizuan lojtarë me numrin 88 në krahë gjatë ndeshjeve të fundjavës.

Vendimi bazohet në protokollin e nënshkruar në qershor të vitit 2023 mes Ministrisë së Brendshme italiane, Ministrisë së Sportit dhe Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). Ky rregullore synon luftimin e antisemitizmit në sport, duke ndaluar rreptësisht përdorimin e numrit 88, një simbol që në mjediset neo-naziste përdoret si kod për përshëndetjen e Hitlerit (“Heil Hitler”, ku ‘H’ është shkronja e 8-të e alfabetit).

Përderisa në Serie A apo në ligat profesioniste klubet kanë staf të posaçëm për të monitoruar këto detaje, në futbollin amator rregulla të tilla shpesh i kapin drejtuesit të papërgatitur. Drejtuesit e klubeve të gjobitura shprehën habi dhe keqardhje për ngjarjen, duke sqaruar se gjithçka kishte ndodhur pa asnjë prapavijë apo dijeni për simbolikën. Një prej trajnerëve bëri me dije se vetë futbollisti i përfshirë u ndie i trishtuar nga situata dhe kërkoi të mos zbriste më në fushë.

Pavarësisht padashjes së lojtarëve dhe drejtuesve, autoritetet sportive vendore zbatuan pikë për pikë rregulloren, duke i kujtuar komunitetit të futbollit amator se vendimet kundër diskriminimit ndiqen me rigorozitet në çdo nivel të garës.

Top Channel