‘Pashë gjak, tym, dëgjova britma…Pata fat që mbeta gjallë’/ Mikel Merino kujton sulmin me bomba ndaj Borussias së Dortmundit në 2017

16/10/2026 13:07

Mikel Merino, aktualisht mesfushor i Arsenalit dhe që pati një rol të rëndësishëm në triumfin e Spanjës në Botërorin 2026, tregon për momentin e frikshëm që përjetoi me Borussian e Dortmundit në 2017 kur autobusi i klubit gjerman u bë viktimë e një atentati. Futbollisti spanjoll rrefeu gjithçka për ‘The Players Tribune’ teksa tha se ishte me fat që mbeti gjallë dhe se u ndihmua nga ëngjëlli i tij mbrojtës.

Në sulmin e atij viti që u krye nga Sergej Wenergold, që shpërtheu tre objekte eksplozive të fshehura në shkurre në momentin kur autobusi i Dortmund kaloi aty pranë teksa po shkontë për ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Monacos, u plagosën mbrojtësi spanjoll Marc Bartra(që u dërgua në spital për një dëmtim në dorë) dhe një agjent policie që nuk mundi të kthehej më të punojë.

‘Besoj se kam një ëngjëll mbrojtës. Në fakt, pata fat që mbeta gjallë-rrëfen Merino që në momentin e atentatit ishte vetëm 20 vjeç-me siguri shumë të rinj nuk e besojnë se kjo ndodhi apo sa e rëndë ishte, por ajo ngjarje la shenjë te të gjithë. Pati një zhurmë shurdhuese dhe më pas kujtoj se autobusi për pak u kthye përmbys. Hodha sytë prapa dhe pashë gjak në tokë. Tymë, dëgjova britma. Kujtos se isha  në spital në atë mbrëmje duke pritur Marc Bartra që kishte kyçin e dorës të shkatërruar. Ditën më pas, dikush më tregoi se një copë e madhe metali pas shpërthimit kishte mbetur në mbështetësen e kokës së sediljes pranë asaj të Bartrës. Ishte vendi ku ulesha unë gjithmonë. Atë ditë ajo ulëse ishte bosh…I ndjeja këmbët pak të mpira dhe duke qenë se ulëset e pjesës së përparme mund të anoheshin, u ula atje, mundet që kjo më shpëtoi jetën. Kështu që po, besoj fort se gjërat ndodhin për një arsye’.

Bombat e prodhuar në mënyrë artizanale përmbanin gozhdë metalike dhe kishin një rreze veprimi prej 100 m. Sergej Wenergold, autori i sulmit u dënua me 14 vjet burg për 28 akuza për tentativë vrasje. Gjatë procesit gjyqësor ai pranoi se nuk donte të vriste askënd dhe se e kreu sulmin për të përfituar të ardhura duke spekuluar mbi rënien e vlerës së aksioneve të Borussia Dortmund.

Top Channel