U zhvilluan këtë të premte dy ndeshjet e para të javës së 6 të Kategorisë së Parë. Kukësi priti Besën e vendit të dytë dhe arriti t’i imponohet duke e mundur me rezultatin 2-0. Njeriu i ndeshjes për skuadrën kuksiane u bë braziliani Alisson që ishte autori i të dy golave.

Fillimisht Alissoni shënoi në pjesën e parë me një gjuajtje të kalibruar  në hyrje të zonës. Ndërsa kur kishin mbetur 10 minuta nga fundi i ndeshjes, Kukësi fitoi një 11 metërsh me Alisson që shkoi te pika e bardhë duke e dërguar topin në rrjetë me skuadrën e Bledi Kadiut që mori kështu  një fitore shumë të rëndësishme që e pozicionon në vendin e pestë me 9 pikë ndërsa Besa mbetet me 10 pikë në vendin e dytë.

Fitore shënoi edhe Flamurtari që iu imponua me autoritet Orikut duke e mundur 4-1 me kuqezinjtë që regjistruan fitoren e dytë radhazi. Të besuarit e Oltion Kërnajës e zgjidhi praktikisht ndeshjen që në pjesën e parë kur shënoi dy gola fillimisht me Berishën me 11 metërsh dhe Barry Arevalo. Ky i fundit shënoi edhe në 45 minutat e dyta për të plotësuar dygolëshin, ndërkohë që hodhi firmën e tij edhe Keneth. Oriku shënoi golin e nderit me Llojaj dhe ndeshja u mbyll me fitoren 4-1 të Flamurtarit që shkon në 9 pikë  në vendin e katërt po aq sa edhe Bylis e Kukësi, ndërsa Oriku vazhdon të mos e njohë shijen e fitores dhe mbetet ende në zero pikë.

Top Channel