Fitues për Skënderbeun. Aurel Plasari dhe Lucia Nadin u vlerësuan për veprat më të mira

21/09/2018 20:50

Studiuesit Aurel Plasari dhe Lucia Nadin janë vlerësuar në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut me çmimet shkencore për dy prej botimeve të tyre. Por a është bërë mjaftueshëm për studimet kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut, sidomos në këtë vit jubilar dhe për më tepër kjo figurë që i përket historisë europiane a përbën ende kuriozitet? Dhe cilat janë ato këndvështrime në të cilat ja vlen të studiohet figura e Skënderbeut?

“Historia e tij ishte evropiane. Është e drejtë që të gjithë studiuesit nga vende të ndryshme të kujdesen dhe të rimarrin në dorë në një mënyrë apo në një tjetër studimet mbi Skënderbeun”, shprehet Nadin.

Studiuesja veneciane Lucia Nadin u shpall fituese për veprën “Shqipëria e rigjetur” si autore e huaj. Fituesi tjetër i këtij çmimi ishte profesor Aurel Plasari, i cili u vlerësua mes autorëve shqiptarë për veprën “Skënderbeu, një histori politike”.

Nadin ka një thirrje edhe për studiuesit e së ardhmes të thellohen në figurën e heroit kombëtar: “Libri i Aurel Plasarit është i mrekullueshëm. Sigurisht, nëse analizohen dokumente të reja mund të arrihet në detaje të tjera, jo sekondare për personalitetin e Skënderbeut. Ai duhet parë jo vetëm si një ushtarak i zoti, por edhe si një njeri i lidhur me botën kulturore, jo vetëm atë të luftës”.

U bënë dy muaj qëkurse Nadin prezantoi së bashku me Plasarin dorëshkrimin më të hershëm të “Rrethimit të Shkodrës”, shkruar nga Marin Barleti, me të cilin ajo po punon. Prej kohësh, puna e saj i referohet lidhjeve të Shqipërisë me Venecian.

Top Channel