Bust për Mit’hat Frashërin. Do vendoset në krah të vëllezërve Frashëri

17/09/2018 15:14

Në 100 vjetorin e Kongresit të Manastirit, eshtrat e atdhetarit Mid’hat Frashëri do të kthehen në atdhe, pasi prehen që prej 68 vitesh në New York, aty ku edhe rilindasi ndërroi jetë.

Për këtë arsye Qendra Kombëtare e Riprodhimit të Veprave të Artit po punon për të pasur gati bustin në nder të Midtaht Frashërit.

“Megjithë kalvarin e gjatë të Mid’hatit më në fund u kthye tek nëna që e mbrujti dhe që e edukoi me këto ideale kaq fisnike. Ministria e Jashtme bashkë me kryeministrinë dhe me përpjekjet e pashoqe të Uran Butkës e Tomas Frashërit, u bë e mundur që duke negociuar me shtetin amerikan, kockat e tij të vijnë nga Amerika e të prehen këtu”, tha Agim Rada, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Riprodhimit të Veprave të Artit.

Për të sjellë figurën e Mithat Frasherit, skulptori Agim Rada është menduar gjatë.

“Duke u bazuar tek pamja e tij janë disa foto të vjetra të retushuara, artisti arrin ta koncentrojë vizionin duke i futur brenda edhe shpirtin, po edhe misionin që ka pasur vetë figura e iluministit. Po ta shohësh balli është ekzagjeruar pak, sepse balli është mendimi. Është si një libër i hapur me sytë e fshehtë dhe një vështrim që brenda ka edhe dhimbjen”, u shpreh Rada.

Busti i Mithat Frashërit do të vendoset krah vëllezërve Frashëri tek Kodrat e Liqenit, në një ceremoni të veçantë që do të mbahet me 12 tetor.

Top Channel