Kriza e rezistencës ndaj antibiotikëve nuk po nxitet vetëm nga mbipërdorimi i këtyre ilaçeve, por edhe nga një brishtësi e zinxhirit të furnizimit, që sipas ekspertëve është në rrezik kolapsi.

Mungesa e disa medikamenteve specifike, që mund të çojë drejt gabimesh, siç është dhënia e një mjekimi më pak të duhur për një infeksion, apo përdorimi i dozave më të vogla nga sa do të ishte e këshillueshme, janë faktorë që shtojnë gjasat e rezistencës dhe vonesave në trajtim.

Mungesa e disa ilaçeve të caktuara në treg, siç është “benzathine penicillin G”, e cila nuk gjendej më në tregun e 39 vendeve në vitin 2015, përfshirë Indinë, Australinë e Shtetet e Bashkuara, po kthehet në një fenomen shqetësues.

Ai është i vetmi medikament që mund të parandalojë përcjelljen e sifilizit nga nëna te foshnja. Mungesat e këtij ilaçi koinçiduan me shtimin e rasteve të kësaj sëmundjeje në Brazil, gjë që rezultoi me rritjen e numrit të fëmijëve me defekte në lindje.

Aktualisht, janë më shumë se 100 ilaçe, përfshirë një numër antibiotikësh, të cilat sipas Administratës amerikane të Barnave dhe Ushqimit nuk gjenden lehtë në treg. Në këtë situatë kanë ndikuar një sërë faktorësh, përfshirë faktin që krijimi i antibiotikëve të rinj është i kushtueshëm e me rrezik, e produktet më të fundit nuk përdoren gjerësisht për shkak të frikës nga rezistenca e krijuar.

Top Channel