Ligji për nënat “surrogato”, ministria e Shëndetësisë bën gati draftin, kundërshton opozita: Shkatërrohet familja!

23/04/2024 20:54

Në Shqipëri pritet të ligjërohen lindjet me nënë “surrogato” dhe teknikat e riprodhimit të asistuar e njohur si praktika IVF.

Në Shqipëri pritet të ligjërohen lindjet me nënë “surrogato” dhe teknikat e riprodhimit të asistuar e njohur si praktika IVF. Ministria e shëndetësisë ka gati tanimë projktligjin i cili pritet të kalojë për diskutim dhe konsultim në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë e më pas të marrë miratim në parlament. Në vendin tonë janë kryer deri më tani procedura të fertilizimit in vitro, por kjo vetëm në spitale apo klinika jo publike edhe pse nuk ka ekzistuar një ligj.

Nëse drafti i propozuar do të miratohet atëherë çdo grua e cila do ta kishte të pamundur për shkaqe shëndetësore të mbetej shtatzënë ka të drejtën që të ketë një fëmijë përmes një marrëveshje me shkrim me një grua tjetër, e cila duhet të jetë mbi 25 vjeç e të ketë lindur më parë të paktën një fëmijë tjetër.

Ministria e Shëndetësisë kërkon që nëpërmjet ligjit të njihet edhe ruajtja e qelizave riprodhuese me metodën e ngrirjes. Ndryshime kërkohen nga ministria përkatëse edhe në teknikat e riprodhimit mjekësor të asistuar in vitro, e përdorur për parandalimin e disa sëmundjeve me origjinë gjenetike, që mund të transmetohen nga prindi te fëmija. Përdorues të këtyre teknikave do të jenë çiftet heterologe, ose që bashkëjetojnë si dhe gruaja e pa partner. Embrionet dhe vezët e pafekonduara mund të ruhen në ngrirje deri sa gruaja te mbushë moshën 53 vjeç. Drafti i propozuar ndalon perdorimin e embrionit për qëllime tregtare, trafikimin e qelizave riprodhuese dhe embrionit.

Por drafti i minisitrisë së Shëndetësisë ka hasur në kundërshtinë e fortë të deputetes demokrate Zheni Gjergji, sipas së cilës kjo nismë e hartuar për të përfituar spitalet privare, shkatërron konceptin e familjes, i hap rrugë monopolit të shëndetit riprodhues dhe e shndërron Shqipërinë në një laborator të madh kriminal.

Sipas deputetes demokrate shumë shtete në Europë, si Italia, Franca apo Gjermania nuk i lejojnë këto metoda që Shqipëria po bëhet gati t’i diskutojë.

Top Channel