Ekuacioni i Superligës, kush do shkojë me Lushnjen në Kategorinë e Parë?

18/05/2018 15:32

Ditën e shtunë do të luhet java e 35 e Superligës, e cila ende nuk ka ndarë përfundimisht vendin e fundit të pjesëmarrjes në Kupat e Europës dhe skuadrën që do të shoqërojë Lushnjen në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.

Mes skuadrave më të rrezikuara është Vllaznia, e cila pas humbjes së fundit me Partizanin ka mbetur edhe pa trajner, ndërsa ndeshjen e së shtunës do ta luaj përball Kukësit. Kjo situatë e klubit të futbollit ka sjellë protesta përpara bashkisë në Shkodër nga tifozëria shkodrane.

Skuadra e Kukësit ka mbyllur objektivat e saj për vendin e dytë në këtë sezon dhe zonën europiane, për këtë arsye duket se do të shkojë edhe pa shumë motivim në Shkodër. Ndërkohë ekipi tjetër në garë për mbijetesën është Kamza, e cila do të luaj përballë Laçit ditën e shtunë, kurbinasit shkojnë me objektiv fitoren për të tentuar europën.

Teuta është skuadra me më shumë shanse për të marrë tre pikët në këtë javë të 35-të, pasi do të luaj me Lushnjen prej kohësh të rënë nga kategoria Superiore, një fitore që do t’i siguronte durrsakëve edhe matematikisht qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.

Në ndeshjet e tjera të kësaj jave do të jetë përballja mes Luftëtarit dhe Skënderbeut dhe Flamurtari Partizani, ndeshje që pak ndikojnë objektivat kryesorë të sezonit.

Top Channel