“Dhuna si traditë”, kur një pakicë zbeh zjarrin e tifozerisë

02/05/2018 20:09

Kur Liverpuli do të përballej me Romën për gjysmë-finalen e Champions League, tifozi i Liverpulit, Rob Trotter, e kishte mbledhur mendjen.

Pas vizitës “intimiduese” në kryeqytetin italian në vitin 2001, kur pa tifozët e Liverpulit të çarë me thika e të goditur me zinxhirë, ai dhe shumë tifozë të tjerë vendosën të mos e ndiqnin ndeshjen e javës së shkuar në Romë.

Ekipi i tij mund të jetë pranë finales së tetë të Kupës së Kampionëve, por pasi tifozi i Liverpulit, Sean Cox, u shtrua në spital me plagë të rënda, pasi u sulmua nga një grup tifozësh të Romës jashtë Anfieldit, Trotter ka marrë me dhjetëra telefonata që i ofrojnë bileta.

Ky është një tjetër prej shumë incidenteve të krijuara nga tifozët e Romës, që ka nisur që me udhëtimin e Liverpulit në kryeqytetin italian, në vitin 1984, për finalen e Kupës së Kampionëve. Gjatë asaj ndeshjeje tifozët u sulmuan pasi ekipi i tyre fitoi një penallti.

Që nga ajo kohë, nën shënjestër kanë qenë tifozët e Leeds, Middlesbrough, Manchester United, Arsenal dhe Totenham, edhe pse nga një grup më i vogël tifozësh.

Goditjet me thikë në vithe kanë qenë diçka e zakonshme, por tifozët janë raportuar se kanë sulmuar edhe me çekiçë, rripa e sëpata, duke detyruar disa tifozë të Liverpulit të paguajnë edhe truproja për të parë ndeshjen.

Por kush është fajtor për këto sulme, dhe pse vazhdojnë të ndodhin?

Në vitin 2001, Majkëll Ouen bëri dy gola duke siguruar fitoren kundër Romës, por tifozët u goditën me sende të forta në tribunë.

“Ishte hera e parë që e shihja veten aq keq.”

Si shumë tifozë të tjerë, pronari amerikan i Romës, James Pallotta, nxitoi të dënonte incidentin në Anfield, por sulmet në Romë kanë qenë të rregullta, të ashpra dhe jo vetëm kundër tifozëve anglezë.

“Ka pasur shumë raste kur janë sulmuar ekipe angleze por edhe klube të tjera evropiane”, thotë gazetari italian, Vieri Capretta. “Mbaj mend me Fejnordin, disa vite më parë, si dhe në finalen e Kupës së Italisë të vitit 2014, e zhvilluar në Romë, kur një tifoz i Napolit u qëllua me armë zjarri dhe humbi jetën. Roma as nuk luante në atë ndeshje.”

Qyteti ka dhe disa tradita unike për “përshëndetjen” e tifozëve kundërshtarë.

“Roma është qyteti i “puncicata’s”, kur nga turma e tifozëve të Romës del dikush që qëllon me thikë në vithe një nga tifozët e huaj që kalojnë pranë Urës Milvio”, thotë ish tifozi ultras i Romës, Pierluixhi Spanjolo.

“Është një ritual i keq që ultrasit e Romës e kanë përdorur edhe kundër tifozëve italianë. Ajo urë është e përshtatshme për pusì të tilla”.

Gjatë udhëtimit të Trotter-it në Romë, 17 vite më parë, për një ndeshje të Kupës Uefa, gjashtë tifozë të Liverpulit u qëlluan me thikë dhe ai thotë se i kishte parë vetë sulmet gjatë gjithë ditës.

Një person me motoçikletë kishte përdorur një thikë të sajuar për t’i shqyer pjesën e pasme të xhaketës një tifozi të Liverpulit. Më pas ishin qëlluar me monedha e me shishe me urinë gjatë ndeshjes, dhe telashet kishin vazhduar për dy orë rresht edhe pasi kishin dalë nga stadiumi.

“U përpoqëm të marrim një taksi e të ktheheshim në qytet, por papritur u afruan 10 tifozë të Liverpulit, të mbuluar me gjak. Të tjerët ishin me xhaketa të shqyera”, thotë ai. “Ishin goditur me zinxhirë e me sende të forta, ndërkohë që nuk kishte pasur asnjë polic rrotull. Ishte hera e parë që e shihja veten keq.”

“Për fat, u kthyem në stadium dhe shtatë prej nesh u ngjeshën në BMW-n (Series 3) që kishte dikush. Ishim vërtet me fat. Një nga djemtë u godit me tullë. Sapo na ra shorti me Romën, mendova që s’kam për të shkuar ta shoh”.

Tifozët e Mançesterit u përplasën me policinë italiane gjatë çerekfinales së Champions League. Disa të tjerë u qëlluan edhe ditën e ndeshjes.

Kush e ka fajin?

Kur ndodhin sulme të tilla, gishti drejtohet shpesh nga ultrasit e klubit, tifozët ekstremë që zënë një zonë të madhe të shkallëve të stadiumit Olimpiko, në harkun jugor të stadiumit, të quajtur “Curva Sud”.

Por historia e vërtetë është shumë më e ndërlikuar, sipas Matteo Ciampani-t, bashkëthemelues i klubit të tifozëve të Romës në Britani, i cili thotë se tifozët e klubit janë disa nga më të zjarrtët në botë.

Ai thotë se edhe pse ultrasit kanë pushtet shumë të madh, që tregohet nga mënyra se si e mbyllën derbin e vitit 2004 në Romë, ka shumë grupime të ndryshme midis tyre që garojnë brenda njëri-tjetrit për të vendosur se kush është në krye.

Lojtarët e Romës u stërvitën me bluza që shkruanin “Forza Sean” këtë të mërkurë, në mbështetje të Sean Cox, i cili u sulmua të martën në Anfield e që vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në spital.

“Sulmi ndaj Sean Cox-it ka turpëruar klubin në një kohë kur ekipi po ecte shumë mirë. Njoh shumë djem të Curva Sud dhe 100% të atyre nuk duan të shohin gjëra si ajo që ndodhi në Anfield”, thotë ai për BBC Sport.

“Nuk bëhet për të qenë pjesë e ultrasve. Bëhet për ata që duan të vënë emër në grup.

“Disa nga tifozët e klubit besojnë se janë më të rëndësishëm se vetë ekipi, dhe dikur kanë qenë më të bashkuar. Ndonjëherë nuk merren vesh me njëri-tjetrin dhe tani janë në pozitë shumë të vështirë, sepse disa grupe po e dënojnë atë që ndodhi javën e shkuar, ndërsa të tjerë e mbrojnë.

“Zakonisht, më të rinjtë janë ata që ngatërrohen në gjëra të tilla. Janë rritur duke parë e duke dëgjuar histori huliganizmi në të shkuarën dhe kanë vendosur se po të bëhen pjesë e këtyre sherreve, po të kenë ndonjë shenjë plage, do t’u shihet si medalje nderi.

“Kur qëllojnë dikë me thikë, më shumë bëhet për t’u dukur para shokëve. Kjo është idiotësi dhe ndodh vetëm në pjesën më ekstreme të Curva Sud. Po flasim për një pakicë të vogël.

“Ka sugjerime se ata që janë të përfshirë në sulmin e Cox mund të kenë qenë përjashtuar nga ndeshjet e Romës, ndaj përpiqen të hapin telashe diku tjetër në qytet ose kur udhëtojnë jashtë vendit.

“Disa tifozë dalin vetëm për telashe. Nuk e dimë nëse ata që sulmuan Sean Cox-in kanë pasur bileta apo jo”, shton Ciampani.

Në vitin 2012, një grup tifozësh të Tottenhamit u sulmuan te lokali “Drunken Ship” nga një grup tifozësh të Romës. Pati spekulime se sulmuesit kishin qëndrime anti-semitike.

Por pse vazhdon të ndodhë kjo?

“Ultrasit janë si pasqyrim i shoqërisë”, thotë Spanjolo. “Një qytet i madh dhe i trazuar si Roma pasqyrohet edhe në ndeshjet midis Romës dhe Lacios, në shkallë më të vogël, por që shfaq të njëjtat vështirësi.

“S’mund t’i kriminalizojmë të gjithë tifozët e Romës, por, fatkeqësisht, në një stadium me 60,000 persona, ka gjithnjë nga ata që kërkojnë dhunë.”

Sipas James Horncastle, një gazetar që shkruan për ndeshjen në Itali, disa nga shkelësit i shfajësojnë veprimet duke thënë se mësojnë nga gangsterët e Romës, banditë të krijuar në lagjet e shekullit të 18 e të 19,  të cilët përfshiheshin në sherre me thikë dhe e quanin si diçka të lavdërueshme”.

Janë bërë disa përpjekje për ta zbutur dhunën e tifozëve në Itali, sidomos që pas derbit sicilian, midis Katanias dhe Palermos, kur u vra një polic.

Rregullat kundër dhunës në stadiume janë ashpërsuar që nga ajo kohë, por kjo ka sjellë pasoja të paparashikuara, siç është parë me ngjarjet në Romë, përfshirë sulmin kundër tifozëve të Tottenhami-t në vitin 2012, kur shumë anglezë u sulmuan nga tifozët e Romës edhe pse në fakt po luanin kundër Lacios, për Europa League.

Ciampani beson se tifozët anglezë shënjestrohen edhe për shkak të historisë që kanë me huliganizmin, sidomos në vitet 1970-1980.

Kjo periudhë është shenjuar nga tragjedi si ajo e stadiumit Heysel, në vitin 1985, kur 32 tifozë italianë humbën jetën të shtypur nga turma e dalë jashtë kontrollit, pasi stadiumi pati një shembje muri përpara finales së Kupës së Kampionëve kundër Juventusit.

Kulturës huligane të tifozëve anglezë në atë kohë i është dhënë lavdi edhe në filma si “Green Street” dhe “The Firm”, të bazuara në veprimtaritë e grupeve si “Inter City Firm e West Ham.

“Në mendjet e disa italianëve, anglezët përfaqësojnë tifozin e vërtetë.”, thotë ai. “Në njërën anë mendon për atmosferën që pamë në Anfield gjatë ndeshjes së parë, por disa mendojnë edhe për filmat me tifozët e West Ham.

“Krijohet një kulturë për huliganizmin dhe ata duan të bëhen si djemtë e filmave. Të rinjtë ndjekin ideale”.

Mund të ndalet dhuna?

Ciampani beson se ashpërsimi i kontrolleve ndaj tifozëve të Stadio Olimpico, dhe kamerat e vendosura te Curva Sud, e kanë përmirësuar nivelin e sigurisë.

Por ai u habit nga mungesa e forcave policore në Anfield dhe beson se siguria nuk ka qenë e mirë për ndeshjet nëpër Europë.

Ai përmend një ngjarje, kur kishte shkuar të shihte një ndeshje të Bayer Leverkussen në Gjermani. Tifozëve të Romës iu tha të kalonin përmes një parku që nuk kishte ndriçim. Aty mund të ndodhnin lehtë sulme të papritura.

“Dua të shoh më shumë kontroll në ndeshjet e UEFA-s,” thotë ai.  “Kur shoh videon e sulmeve në Liverpool, pyes se pse nuk kishte fare polici, sidomos në Kop, ku qëndrojnë tifozët e Liverpool-it.”

Për sulmet brenda Romës, përgjigjja e duhur duket se është shtimi i policisë. Për shkak të frikës se tifozët e Liverpool-it mund të duan të hakmerren për sulmin ndaj Cox-it, autoritetet italiane kanë zbritur rreth 1200 policë nëpër rrugë.

Komisioneri i Rendit Pulbik, Giorgio Luciani, tha për BBC Sport: “Mund të garantojmë sigurinë e tifozëve të Liverpool-it nëse respektojnë rregullat dhe nëse e bëjnë këtë ditë sa më normale të mundshme”.

Trotter druan se pavarësisht këshillave për të përdorur autobusët zyrtarë e për të shkuar në orarin e duhur në stadium, disa tifozë të Liverpulit do të duan të bëjnë sipas kokës së tyre.

“Sado që më pëlqen të mendoj se tifozët e Liverpulit do të pinë vetëm në vendet ku janë këshilluar, dhe se do të përdorin autobusët që u janë dhënë, e di që nuk ka për të ndodhur,” thotë ai. “Njerëzit do të duan të dalin rrugëve tri orë para ndeshjes e disa do të futen në rrugët e gabuara.”

Megjithatë, Ciampani thotë: “Tifozët e Romës nuk duan që të përsëritet ajo që ndodhi në Anfield. Njerëzit ndenjën 36 orë në radhë për një biletë. Do të ketë edhe shumë familjarë. Ata nuk duan të grinden apo të krijojnë telashe.

“Ka shumë ngjashmëri midis dy klubeve. Të dyja skuadrat kanë tifozë të zjarrtë, ndaj duhet të përqafojmë ngjashmëritë dhe të shijojmë këtë çast kaq të rëndësishëm për të dyja ekipet që do të zbresin në këtë arenë të madhe.

“Duhet t’i tregojmë gjithë botës që s’ka vend për dhunë.”

Nga Alistair Magowan, BBC Sport

Top Channel