Merr fund makthi në zyrat e Youtube, vetëvritet agresorja

04/04/2018 01:48

Një sulm me armë tronditi Kaliforninë e veriut mbrëmjen e të martës, teksa një grua qëlloi duke plagosur 3 persona në zyrat e Youtube.

Agresorja u gjet e vdekur, pasi kishte qëlluar veten ndërsa njëri nga të plagosurit prej saj, është në gjendje kritike për jetën.

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, ku gjeti një skenë kaotike, me njerëz të shumtë që nxitonin të largoheshin, ndërsa u mundua të marrë nën kontroll situatën.

Paraprakisht nuk dihet ende se kush ishte agresorja që sulmoi kompaninë me armë, por as edhe shkaqet që e çuan atë drejt këtij veprimi.

Në zyrat e Youtube, në Kaliforninë e veriut punojnë rreth 1700 persona, të cilët u larguan nga paniku, menjëherë sapo filluan të shtënat.

Aktualisht hetuesit janë duke punuar për të zbardhur ngjarjen, ndërsa paraprakisht duket se terrorizmi nuk është bindës si pistë hetimi.


Top Channel