Zlatan Ibrahimovich vendos derbin në MLS me dy gola në debutim

01/04/2018 10:37

Zlatan Ibrahimoviç nuk mund të kishte një debutim më të bukur në Ligën amerikane të Futbollit (MLS), pasi vendosi derbin e Los Angelesit në favor të skuadrës së tij dhe meritoi ovacionet e kundërshtarëve.

LA Galaxy mori një fitore të jashtëzakonshme, edhe për meritë të përforcimit më të ri, që tregoi sidomos me njërin prej golave se nuk ka zbarkuar në SHBA vetëm për turizëm dhe për milionat.

Zlatan Ibrahimoviç u fut në fushë në minutën e 71-të, në vendin e Lletget, ndërsa pak çaste më vonë Pontius firmosi golin që çoi ndeshjen në 2-3.

Por suedezi nuk mund të kënaqej me kaq. Ish-sulmuesi i Manchester United e shënjoi debutimin me një të djathtë fluturuese nga 35 metra, që barazoi rezultatin.

Pikërisht kur mendohej se barazimi do të ishte edhe rezultati përfundimtar i derbit në qytetin e “engjëjve”, Ibrahimoviç shënoi me kokë brenda zonës, një gol që vleu suksesin e paparashikuar dhe kompletoi përmbysjen nga 0-3 në 4-3.

Top Channel