Milan, Andre Silva është “rilindur”. Tashmë quajeni njeriu i “knock out”-it

19/03/2018 16:40

Talenti portugez Andre Silva i përgjigjet hapur dhe qartë pyetjes nëse gjatë janarit ka menduar të largohej nga Milani. “Unë jam këtu te Milani dhe mendoj vetëm të luaj me Milanin”.

Por, pavarësisht mohimit nga ana e tij, marrëdhënia mes superagjentit Jorge Mendes dhe klubit kuqezi dukej e përcaktuar vetëm pak javë më parë. Blerja më e bujshme e kuqezinjve për rreth 40 mln euro, gjatë verës së kaluar, dukej e destinuar të mos shkonte më në të njëjtën rrugëtim me projektin kuqezi.

Montella fillimisht, e më pas Gattuso e përdornin atë si një “as nën mëngë” vetëm për Europa League dhe në kampionatin italian shumë pak e aktivizonin, për të mos thënë aspak. Portugezi ka shënuar 6 gola në 10 ndeshje të luajtura jashtë Serie A, ndërsa në këtë të fundit ishte veçse një hije. Asnjë gol dhe mund të konsiderohej pa frikë si një lojtar “i panjohur”.

Por, do të duhej të vinte java e 28 e Serie A për të bërë kthesën e shumëpritur. Ai gol i tij 3-pikësh në minutën e 94-t që fundosi Genoan dha shkëndijat e para. Ishte thjesht një rastësi? Jo, sepse Andre Silva tregoi vijimësi edhe në “San Siro” ndaj Chievos. Portugezi u aktivizua pas rreth një orë loje, duke e shfaqur veten si njeriun e “specializuar” të “knock out”-it.

Falë një shfrytëzimi oportunist, ishte pikërisht ai që i dhuroi fitoren Milanit. Edhe pse me vonesë, 6 pikët e fundit të kuqezinjve i ka dhënë pikërisht ai. 6 pikë që shihen si vendimtare në ecurinë drejt objektivit të vendit të katërt, që të çon në Champions sezonin e ardhshëm, e që mbajnë firmën e tij.

Portugezi, i lindur në vitin 1995, është shfaqur më në fund “keqbërës” përpara portës kundërshtare. “Në fillim ishte thjesht një flakë kashte, ndërsa tani ka edhe ‘helmin’ brenda vetes”, kështu e ka komentuar ndryshimin e tij trajneri Gattuso.

E pavarësisht minutazhit të paktë në dispozicion, me vetëm 1.751 minuta në 34 ndeshje mes Serie A, Europa League, kualifikueseve të këtij turneu dhe Kupës së Italisë, me 10 golat e shënuar prej tij deri tani është kthyer në sulmuesin e dytë më të mirë të skuadrës. Vetëm Cutrone ka shifra më të mira sesa ai, me 15 gola të shënuara.

Por ajo që befason më shumë nga Andre Silva është kapaciteti i tij i realizueshmërisë në raport me rastet e ofruara. Mesatarja e gjuajtjeve të tij në portë është 2.1 në Kupën e Italisë, ndërsa 1.6 në Serie A. Nga ana tjetër ishte thuajse brutale që sulmuesi titullar i Portugalisë, me 11 gola në 18 ndeshje, ishte harruar në atë farë pike. Tashmë, Andre Silva duket se është zhbllokuar dhe nga tani e tutje, trajneri kuqezi ka një vështirësi më shumë në përzgjedhje. E sigurtë është se njëri mes Silvës, Cutrones dhe Kaliniç do të mbetet jashtë, por cili prej tyre?

Top Channel