Futbolli italian është në zi. U nda nga jeta në qytetin e Breshias ish-trajneri i përfaqësueses italiane në vitet ‘90, Azeglio Vicini, që në muajin mars do të festonte 85-vjetorin e tij të lindjes.

Azeglio Vicini ishte në stolin e “Të Kaltërve” që nga viti 1986 deri në 1991 për t’ia lënë më pas vendin Arrigo Sacchit.

Vicini ishte në stolin e Italisë në Botërorin e vitit 1990 të zhvilluar në vendin e Apenineve, eveniment në të cilin të kaltrit u renditën në vendin e tretë pas Gjermanisë dhe Argjentinës.

Me Vicinin në pankinë, Italia zhvilloi 54 ndeshje me një bilanc prej 32 fitoresh, 15 barazimesh e 7 humbjesh, 76 gola të shënuar e 24 të pësuar.

Vicini u shkarkua nga drejtimi i Italisë në 15 tetor të 1991 pas ndeshjes mes Italisë e Bashkimit Sovjetik e mbyllur 0-0, që e la Italinë jashtë Europianit të vitit 1992.

Azeglio Vicini e pati të lidhur karrierën e tij si trajner me ekipet kombëtare italiane pasi më parë ai ka drejtuar edhe skuadrën e U23 dhe atë të U21.

Top Channel