Pa punë që nga janari, Mourinho pranë rikthimit te klubi i Premier League

07/05/2024 19:51

Pas përfundimit të këtij sezoni rrugët e Manchester United me Erik ten Hag me shumë mundësi do të ndahen, kjo për shkak të krizës që ndodhet ekipi nën drejtimin e holandezit.

Referuar kësaj situate tashmë ka shumë pasardhës të mundshëm të Ten Hag në “Old Trafford”, por në Manchester orët e fundit po përhapet një lajm i bujshëm që thekson se Jose Mourinho është gati të rikthehet në stolin e “Djajve të Kuq”.

Ish-trajner i United nga viti 2016 deri në dhjetor 2018, kur u shkarkua dhe u zëvendësua nga Solskjaer, 61-vjeçari, sipas asaj që raportohet nga mediet britanike, do t’u kishte thënë miqve dhe të njohurve më të afërt se do të dëshironte të ishte sërish trajner i Manchester United në të ardhmen. Në dy vite e gjysmë në “Old Trafford”, Mourinho arriti të fitojë një Europa League dhe një EFL Cup.

Që nga janari i 2024-ës kur u largua nga Roma, Mourinho është pa punë dhe situata nga të dyja palët, si nga trajneri ashtu edhe nga klubi anglez duket perfekte për t’u ribashkuar./SuperSport

Top Channel