Bundesliga, Bayern mposht 4-2 Werderin. Luftë e ashpër për Champions dhe mbijetesë

21/01/2018 17:36

Nga disavantazhi në një përmbysje të furishme rezultati. Bayern Munchen i është përgjigjur ashpër golit të parë të Werder Bremenit, të shënuar në minutën e 25-të të takimit, me dy gola të shënuar nga Muller dhe Lewandowski, në fund të 45-minutëshit të parë dhe pas pothuajse një ore lojë.

Futbollistët e Werderit, të cilët nuk kanë çfarë të humbasin dhe janë përfshirë në një betejë të ashpër për mbijetesë, tentuan t’u rrëmbenin diçka kampionëve në fuqi të Bundesligës, duke i detyruar bavarezët të shënonin në portën e tyre për barazimin e përkohshëm 2-2, me autor të autogolit Sule.

Por ishin sërish sulmuesi polak dhe anësori sulmues gjerman, Lewandowski dhe Muller, që vulosën fatet e takimit në favorin e gjigantëve bavarezë, të cilët e shohin veten në krye me 16 pikë të shkëputur nga ndjekësit më të afërt, një distancë që ndoshta mund të ngushtohet në 14, nëse Schalke fiton ndaj Hannoverit në sfidën e fundit të mbetur për t’u zhvilluar nga java e 19 e kampionatit gjerman.

Bundesliga duket se e ka mbyllur çështjen e kampionit për këtë vit, por një luftë e ashpër po zhvillohet në grup për zonën e Championsit, sikurse edhe për mbijetesë. Leverkusen, Leipzig dhe M’Gladbach ndjekin Bayernin me 31 pikë secili, ndërsa pas tyre vijnë Dortmundi, Schalke dhe Frankfurti me 30 pikë. Ndërsa në fund, Wolfsburgu, Stuttgarti dhe Mainzi duken përkohësisht të shpëtuar, pas janë të shkëputur me 4 pikë nga Werderi, 5 nga Hamburgu dhe 8 nga Këlni i vendit të fundit.

Top Channel