Nga Spanja në Tiranë, Shqipëria në sytë e një gazetareje spanjolle

08/12/2017 15:26

Shqipërinë ajo e ka njohur vetëm nëpërmjet leximit të autorit Ismail Kadare në gjuhën spanjolle, por kjo ka mjaftuar për ta intriguar gazetaren Rosa Montero t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Ambasadës Spanjolle në Tiranë për një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

“Është hera ime e parë këtu dhe jam shumë e kënaqur për këtë. Ajo që më tërhoqi është se në Spanjë, Shqipëria është një e panjohur e madhe. E vetmja gjë që njihja ishte çfarë kisha lexuar nga libri i Ismail Kadare, që është edhe një ndër autorët e mi të preferuar. Nuk e kisha përfytyruar shumë, sepse Shqipëria është shumë enigmatike për Spanjën, por më duket shumë më moderne nga sa e kisha imagjinuar”, thotë Rosa Montero, gazetare e “El Pais”.

Intervistuese e qindra personazheve të njohur, por edhe me ndikim në politikën globale si Yaser Arafat, Indira Gandhi apo Richard Nixon, Rosa Montero ka realizuar më shumë se 2.000 intervista për një ndër të përditshmet me prestigjoze spanjolle ‘El Pais’, për të cilën vijon të punojë ende.

“Nga këndvështrimi personal më ka pëlqyer një intervistë që i kam bërë Paul Mc Cartney-t. Kur kam qënë e vogël isha e dashuruar me të dhe kur e intervistova nuk ishte më i ri, i gjori ishte një burrë i plakur, mëe shume rrudha, por ama brenda ishte një njeri i gjallë që më mrekulloi”, vijon Rosa.

Montero ka rregullat e saj të realizimit të një interviste të mirë. “Zakonisht intervistat që unë bëj janë të gjata. Thelbësorja për mua është që nëse do të bësh një intervistë të mirë duhet të kesh vërtetë kuriozitet për ta njohur tjetrin, të përpiqesh t’i ikësh paragjykimit dhe të gërmosh përtej koracës se personazhit që ke përballë. Ajo që është më e rëndësishmja: mos bëj asnjëherë pyetje, përgjigjen e së cilave nuk ke kuriozitet ta dëgjosh!”, thotë Rosa.

 

Top Channel