Icardi “refuzon” Realin: Jam i pari si golashënues, të parët në Serie A

04/12/2017 19:01

I pyetur nga nëj televizion argjentinas, “Telefe”, mbi interesimin e Realit të Madridit mbi shërbimet e tij, sulmuesi më në formë i Interit, Mauro Icardi është përgjigjur me një refuzim.

“Jam shumë mirë në Itali. Jam i pari si golashënues, por edhe i pari në klasifikim me Interin. Çfarë duhet të kërkoj më shumë?”.

Më tej, Icardi konsideron si një vlerësim madhor edhe grumbullimin në kombëtare.

“Falë formës së mirë që po kaloj kam fituar edhe grumbullimin tek Argjentina. Besoj se është një vlerësim shumë i mirë për ato që kam bërë deri tani, me fanellën e Interit. Për momentin, gjithçka po shkon mirë, e shpresoj që të mund të vazhdoj me këto ritme”.

Me këto pak fjalë, duket se argumenti për një interesim të mundshëm në merkato ndaj futbollistit argjentinas merr fund.

Ato mjaftojnë sa për t’i dhënë fund spekulimeve nëpër media, duke evituar kështu thashethemet e Realit të Madridit, rinovimin me përmirësim të klauzolës së prishjes së kontratës mes Icardit dhe Interit, por edhe për të lënë “rehat” një futbollist të madh dhe një klub pretendent.

Ndërkohë, edhe drejtori sportiv i Interit, Ausilio, kishte shpjeguar të dielën në mbrëmje se nuk ka marrë kurrë kërkesa, qoftë edhe formale, nga Reali për Icardin.

Por, duket se shkëndijat për këto thashetheme i ka ndezur vet bashkëshortja e futbollistit, njëkohësisht menaxhere e tij, Wanda Nara, sipas së cilës po bëhet gjithnjë e më e nevojshme për të rishikuar klauzolën e kontratës me Interit, për ta rritur atë.

Top Channel