“Shpikja” e trajnerit të Wolfsburgut: Lani dhëmbët pas ndeshjeve

20/10/2017 16:56

Vitin e kaluar, Wolfsburgu shpëtoi nga rënia vetëm falë përballjeve “play off”, ndërsa këtë sezon është vetëm një pikë më shumë sesa Freiburgu i vendit të 3 nga fundi (18). As ndryshimi i trajnerit nuk i ka dhënë efektet e pritura, pasi nën drejtimin e Martin Schmidt, i ardhur më 18 shtator, janë arritur 4 barazime në po kaq ndeshje.

Ndaj nevojitet një kthesë e fuqishme rezultatesh. Ndryshimi i skemës së formacionit nuk ka mjaftuar, ashtu sikurse edhe aktivizimi i të rinjve si Divock Origi i huazuar nga Liverpool. Futbollistëve u nevojiten stimuj të rinj, e për këtë arsye Schmidt ka vendosur një rregull të qartë: në fund të çdo ndeshjeje, apo qoftë edhe stërvitjeje, të gjithë janë të detyruar të lajnë dhëmbët.

Sipas Schmidt, larja e dhëmbëve menjëherë pas sforcos fizike do të përshpejtonte rikuperimin. “Në fund të stërvitjeve krijohet aciditet në gojë, – shpjegon tekniku i Wolfsburgut. – Kjo gjë u bën keq mishrave dhe përfundon drejtpërdrejt në gjak. Ndaj, larja e dhëmbëve ndihmon në rikuperimin sa më të shpejtë të energjive, duke penguar efektet e aciditetit”.

Me këtë rregull, lojtarët janë të detyruar të lajnë dhëmbët menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve, e përpara se të kthehen në shtëpitë e tyre.

Top Channel