Lukaku te United, Chelsea hidhet në sulm për Moratën

07/07/2017 00:00

Transferimi i Lukakut te Manchester United bën që të rishfaqet një tjetër skenar në merkaton e transferimeve. Ai i mundësisë së kalimit të Alvaro Moratës te Chelsea.

Për klubin londinez, ky është një rikthim i interesit për sulmuesin spanjoll, i cili nga ana e tij ishte përgatitur për transferimin në “Old Trafford”, por pa që planet t’i prisheshin pikërisht nga sulmuesi belg i Evertonit.

Kjo është një situatë, nga e cila do të kërkojë të përfitojë Antonio Conte, i cili sipas disa tabloideve britanike i ka kërkuar Roman Abramovich të nisë bisedimet me Realin e Madridit, për të blerë kartonin e sulmuesit 24-vjeçar.

Gjithnjë sipas medias britanike, “blutë” e Londrës kanë shprehur gatishmërinë për të derdhur në arkat e kampionëve të Europës 80 milionë euro, një shifër e cila nuk ishte propozuar kurrë nga “djajtë e kuq”.

Por drejtuesit e Realit të Madridit duket se nuk kanë ndërmend të lëshojnë pè në këtë pikë, e kërkojnë 90 milionë euro për Moratën, ndërkohë që në krahun tjetër, ata janë në një garë të fortë për blerjen e talentit të Monacos, Kylian Mbappe.

Top Channel