Barcelona nga festa në festë, 10 fitore në 10 ndeshje dhe 43 gola të shënuar
Anësori i Barcelonës, Lamine Yamal, dhuroi një tjetër shfaqje spektakolare mbrëmjen e së martës në Ligën e Kampionëve, duke udhëhequr katalanasit drejt një fitoreje bindëse 4-1 ndaj Galatasarayt në Turqi.
Përpara këtij takimi, në rrjetet sociale u ringjallën disa deklarata të vjetra të mesfushorit të Galatasarayt, Mario Lemina, të cilat me sa duket nuk kishin kaluar pa u vënë re nga talenti spanjoll. Kur u pyet më parë për të zgjedhur mes shokut të tij të skuadrës, Leroy Sané, dhe yllit të Barçës, Lemina do të shprehej: “Kush është Lamine Yamal? Nuk e njoh. Unë njoh vetëm Sané-n.”
Përgjigjja e Yamal erdhi direkt në fushë, por edhe pas ndeshjes përmes rrjeteve sociale. Ylli 17-vjeçar publikoi një foto në profilin e tij në Instagram ku shihej duke mbajtur trofeun e lojtarit më të mirë të ndeshjes (MVP), të shoqëruar me mbishkrimin ironik: “Ai më njeh mua tani, apo jo?”

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe mbrojtësi i Barcelonës, Eric Garcia, i cili pas ndeshjes deklaroi për CBS Sports:“Yamal nuk ka nevojë për motivim shtesë, por ndonjëherë njerëzit flasin më shumë seç duhet. Thonë se nuk e njohin, ndërsa tifozët kundërshtarë përpiqen ta provokojnë. Në fund, të gjithë e dimë se ai e jep përgjigjen e tij aty ku duhet: në fushën e lojës.”
I pyetur nga gazetarët se për kë e kishte fjalën konkretisht, Garcia u përgjigj me buzëqeshje: “Ai e di shumë mirë, do ta kuptojë!” Me këtë paraqitje, Yamal jo vetëm që ndihmoi Barcelonën të merrte tre pikë të rëndësishme në transfertën e vështirë turke, por u dërgoi edhe një mesazh të qartë të gjithë kritikëve të tij.
Top Channel