Humbi shikimin gjatë trazirave të vitit 1997, Emiliano Lule përballet më një tjetër emergjencë shëndetësore pas një aksidenti automobilistik Pavarësisht ndërgjegjësimit për rreziqet, që drogat paraqesin për individët dhe familjet, numri i përdoruesve rritet çdo ditë.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, aktualisht në Shqipëri janë rreth 60 mijë përdorues të drogës. Një shifër, që është shumëfishuar nga viti 1995. Atëherë numëroheshin 5 mijë konsumatorë. Ndërkohë, vetëm 3 vjet më vonë, në vitin 1998 janë regjistruar 20 mijë përdorues, që varionin nga 15-64 vjeç.
Në lidhje me llojin e drogave më të përdorura, të parat janë prodhimet e kanabis në rreth 65%; përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë, janë 20-25%; rreth 10% janë përdorues të kokainës, etj. Konstatimet e fundit tregojnë një rritje të preferencave për substanca sintetike, të ashtuquajtura të klubeve, veçanërisht ekstazi.
Rreth 48% e përdoruesve e marrin drogën me injektim, 37% me tymosje dhe rreth 11% me thithje nga hunda.
Mosha mesatare e personave të trajtuar gjatë këtyre viteve është rreth 27 vjeç. Grupmosha 21-30 vjeç përbën 66% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve.
Studime të bëra nga ekspertët e ISHP-së, në popullatën e shkollave të mesme, tregojnë se 7% e personave të moshës 15-18 vjeç kanë eksperimentuar kanabisin, 4% me ekstazi, 1% me heroinë, dhe 3% kishin përdorur kokainë.
Megjithë vëmendjen dhe angazhimin social, përdorimi i drogës në mbarë botën ka arritur përmasa kritike. Globalisht rreth 210 milionë njerëz çdo vit përdorin drogë, dhe pothuaj 200 mijë prej tyre vdesin.
Dënimet për përdoruesit e drogave
Mungesa e specifikimeve në Kodin Penal të Shqipërisë dhe dënimet nëpër botë
Përdoruesit e drogës në Shqipëri dënohen si trafikantë. Specialistë të ligjit thonë se mungesa e specifikimeve në Kodin Penal, për sasinë e drogës që mund t’u gjendet përdoruesve kur arrestohen, lë hapësira për dënime të ekzagjeruara. Konkretisht, bëhet fjalë për nenet 283-266.
Nenet 283-286/a përcaktojnë sanksione serioze për personat, që kryejnë krime në lidhje me drogën. 5-10 vjet burg për prodhimin, shitjen, shpërndarjen dhe posedimin e drogave; dhe 7-15 vjet për trafikim. Ndërkohë që, posedimi i një ‘doze ditore’ drogë për përdorim personal nuk ndëshkohet.
Por, çfarë sasie përcaktohet si dozë ditore? Në ligjin tonë nuk është e specifikuar kjo sasi.
Vende të tjera në botë i kanë të detajuara përcaktimet. Për shembull, në Gjermani, doza konsiderohet deri në 2 gram heroinë, ose kokainë, ose 10-20 tableta ekstazi (në varësi të landit). Në Spanjë, praktika gjyqësore konsideron dozë deri në 3 gram heroinë, 5 gram kokainë dhe 30-50 doza të LSD. Në Finlandë, deri në 3 gram të amfetaminave, 10 tableta ekstazi, 1 gram heroinë ose 1,5 gram kokainë.
Masa e dënimit për këto sasi, në këto vende, mund të jetë gjobë, ose punë e papaguar në komunitet.
Ndërkohë, në Shqipëri, shpesh sasia e drogës së konfiskuar i lë hapësira Gjykatës në vendosjen ndërmjet minimumit apo maksimumit të dënimit për shkeljen e ligjit.
Top Channel