Barcelona, Flick dhe sfida me PSG: Do doja që skuadra ime të luante me besim e guxim
Ndeshja mes Paris Saint-Germain dhe Barcelonës në stadiumin “Parc des Princes” do të zhvillohet sipas programit të parashikuar.
Konfirmimi ka ardhur nga ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, pas një takimi urgjent me përfaqësues të qeverisë dhe autoritetet përgjegjëse për sigurinë.
Vendimi vjen në një moment të tensionuar për Francën, ku protestat studentore dhe incidentet e dhunshme të fundjavës kanë shtuar presionin mbi forcat e rendit. Për këtë arsye, ndeshja pritet të shoqërohet me masa të shtuara sigurie, si brenda, ashtu edhe përreth stadiumit.
Gjatë deklaratës së tij, Nuñez bëri të ditur se autoritetet kishin shqyrtuar mundësinë e anulimit të disa aktiviteteve të planifikuara, përfshirë edhe ngjarje sportive. Megjithatë, ai sqaroi se kjo mundësi nuk lidhet me sfidën e Champions League mes PSG-së dhe Barcelonës.
Ministri francez konfirmoi gjithashtu se ndeshjet e tjera europiane të planifikuara gjatë javës do të zhvillohen sipas kalendarit.
Mes tyre është edhe përballja Lille–Galatasaray, e programuar për të mërkurën në qytetin e Lilës. Ky qytet u përball me incidente gjatë fundjavës, kur disa dyqane u shënjestruan nga grabitësit.
Autoritetet do të duhet të koordinojnë masat e sigurisë për të garantuar zhvillimin normal të ndeshjeve, në një periudhë kur burimet policore janë të angazhuara edhe në menaxhimin e protestave.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, u pyet gjithashtu për ndikimin që situata në Francë mund të ketë te skuadra e tij përpara një ndeshjeje kaq të rëndësishme.
Tekniku spanjoll u shpreh se nuk ishte i shqetësuar dhe se skuadra duhet të ruajë përqendrimin te futbolli.
“Unë jam këtu për të folur për futbollin. Sigurisht që nuk e miratojmë këtë dhunë, por, për fat të keq, ajo është pjesë e shoqërisë së sotme. Duhet thjesht të qëndrojmë të përqendruar te ndeshja”, ishte mesazhi i trajnerit.
Përballja PSG–Barcelona pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjekura të javës në Champions League. Vëmendja, megjithatë, nuk do të jetë vetëm te ajo që do të ndodhë në fushën e lojës, por edhe te mënyra se si autoritetet do të menaxhojnë sigurinë përpara dhe gjatë takimit.
Për momentin, vendimi është që ndeshja të zhvillohet sipas planit, ndërsa autoritetet franceze do të mbajnë nën vëzhgim situatën për të shmangur incidente të tjera.
Top Channel