Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës, por e bënë të qartë se kriza e zgjatur politike dhe vonesat në formimin e institucioneve po pengojnë avancimin e axhendës së përbashkët mes dy vendeve.
Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Daniel Lawton pritet të dëshmojë përpara Kongresit, dhe atj të pohojë mes të tjerash se zgjedhjet e përsëritura dhe periudhat e gjata me qeveri në detyrë kanë penguar përparimin e prioriteteve të përbashkëta. Washingtoni i ka bërë thirrje Prishtinës që të përmbyllë formimin e institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.
SHBA-ja shpreh shqetësim edhe për situatën e komunitetit serb në Kosovë, duke kërkuar të drejta dhe mbrojtje të barabartë për të gjithë qytetarët. Në të njëjtën kohë, thekson rëndësinë e KFOR-it për sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Sipas Lawtonit, dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët. SHBA-ja u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të shmangin provokimet, të përmbushin zotimet dhe t’u rikthehen bisedimeve pa parakushte.
Ndërkohë, Uashingtoni po e forcon partneritetin me Serbinë përmes bashkëpunimit në energji, mbrojtje, siguri dhe ekonomi. Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor mbështetet në tri prioritete: stabilitetin, interesat ekonomike dhe tregtare dhe luftimin e kërcënimeve të sigurisë. SHBA-ja kërkon që vendet e rajonit të fokusohen te zgjidhjet lokale, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes, ndërsa aleatët e NATO-s pritet të rrisin shpenzimet për sigurinë.
Për Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, Uashingtoni veçon bashkëpunimin në energji, mbrojtje, siguri dhe ekonomi. Mesazhi i përgjithshëm amerikan është se Ballkani duhet të fokusohet te stabiliteti dhe zhvillimi, ndërsa SHBA-ja do të vazhdojë angazhimin e saj në rajon përmes partneriteteve ekonomike dhe të sigurisë.
Top Channel