Veliaj u la në burg, reagon avokati Ndreca: Gjykata e Lartë la në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar nga Kushtetuesja, cënohet shteti i së drejtës
Një 58-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana është kapur në Belgjikë dhe arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me autoritetet belge.
Sipas njoftimit të Policisë, bëhet fjalë për Jasin Kala alias Jasin Avdyli, i njohur ndryshe si “Cinja” i Shijakut i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, me vendim të datës 4 prill 2023.
Kala akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve të SPAK, 58-vjeçari dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe shitjen e tyre në disa shtete.
Po ashtu, autoritetet dyshojnë se të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar në dy pasuri të paluajtshme, lokale në Shijak.
Kapja e tij në Belgjikë u bë pas shkëmbimit të informacioneve mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve belgë, në kuadër të hetimeve për trafikimin e lëndëve narkotike.
Ndërkohë, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet belge për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 58-vjeçarit drejt Shqipërisë.
Top Channel