Dy shpërthime me lëndë eksplozive kanë tronditur Durrësin në orët e para të mëngjesit.

Një shpërthim ka ndodhur në një garazh në  zonën e Shkallnurit, duke alarmuar banorët e zonës. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe ka shkaktuar dëme të shumta materiale.

Ndërkohë, rreth orës 03:50, një tjetër shpërthim është regjistruar në një nga lokalet e shumta në zonën e lulishtes, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve. Lokali i përkiste shtetasit Gëzim Kajno. Korrespondentja e Top Channel në Durrës, Vali Qyrfyçi, bën me dije se Kajno ishte dënuar për vrasjen e një personi para lokalit të tij në mars të vitit 2016.

Kajno qe dënuar me 10 vjet burg për vrasjen e Asllan Kërtushës me armë zjarri, në vitin 2024 ai u kap nga policia pasi i kishin mbetur dhe 4 vite burg. Pas daljes nga burgu ai nisi sërish punën duke hapur një tjetër bar kafe. Ndërsa po hetohet nëse shpërthimi ka lidhje me këtë ngjarje apo ndonjë konflikt tjetër të Kajnos.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Informacione paraprake

Rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11, Durrës, në derën e jashtme të një lokali në pronësi të shtetasit G. K., është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme të lehta materiale.

Gjithashtu, rreth orës 04:30, në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës Plepa–Ndroq, është hedhur një sasi lënde plasëse në derën e garazhit të një automjeti, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet për mbledhjen dhe administrimin e provave, zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Top Channel