Italia, Mancini bën paralajmërimin: Kombëtarja e fortë, prisni të reja në listën e të grumbulluarve
Një minutë duartrokitje për Lionel Messin në të gjithë Argjentinën.
Federata e Futbollit të Argjentinës ka organizuar një homazh të veçantë për kapitenin e “Albiceleste”, i cili të hënën zyrtarizoi tërheqjen nga Kombëtarja pas 21 vitesh.
Sipas buletinit zyrtar të AFA-s, të gjitha ndeshjet e kësaj jave do të ndërpriten në minutën e 10-të të pjesës së parë. Homazhi do të zhvillohet në të gjitha kategoritë dhe disiplinat, si në futbollin e meshkujve ashtu edhe te femrat, por edhe në futsall e futbollin e plazhit.
Në minutën e 10-të, loja do të ndalet dhe stadiumet do të bashkohen në një minutë duartrokitjesh për një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e Argjentinës. Zgjedhja e minutës nuk është rastësi. Numri 10 është simboli i Messit me fanellën e Kombëtares, numër që ai e mbajti për pjesën dërrmuese të karrierës së tij ndërkombëtare.
Në Primera División, homazhi do të nisë të premten, me javën e tetë të Torneo Clausura. Klubet do të shfaqin gjithashtu në ekranet e stadiumeve videon institucionale të përgatitur nga AFA për Messin. “Ju presim në stadiume, bashkohuni me këtë homazh”, është mesazhi i Ligës Profesionale të Futbollit për tifozët argjentinas.
Ndërkohë, pavarësisht kërkesave të shumta të tifozëve për tërheqjen përgjithmonë të numrit 10 nga Kombëtarja, AFA nuk ka marrë një vendim zyrtar për këtë çështje. Një tërheqje e tillë përplaset edhe me rregullat e FIFA-s për numërimin e fanellave, teksa një tentativë e ngjashme e Argjentinës në vitin 2002 ishte refuzuar. Për momentin, “10”-a nuk do të largohet nga fanella e Argjentinës. Por në këtë fundjavë, ajo do të ndalet për një minutë vetëm për një emër: Lionel Messi.
Top Channel