Mister me vrasjen e trefishtë në poligonin e qitjes në Mal të Zi, rusi ekzekutoi punëtorët dhe kreu vetëvrasje pas një ndjekjeje nga policia

01/09/2026 18:46

Një ngjarje e rëndë dhe e përgjakshme tronditi të hënën Malin e Zi, ku një 30-vjeçar rus dyshohet se hyri me forcë në një poligon qitjeje në Danilovgrad dhe hapi zjarr ndaj tre punonjësve.

Pas sulmit, ai u largua nga vendi i ngjarjes me një automjet të vjedhur, duke shkaktuar një operacion të gjerë policor për kapjen e tij.

Viktimat e sulmit janë 20-vjeçari Nemanja Kapor, 24-vjeçari Petar Globarević dhe 67-vjeçari Momir Radonić. Të tre punonin në poligonin e qitjes “Češka Zbrojevka” në Danilovgrad.

Sipas informacioneve të bëra publike deri më tani, autori dyshohet se ishte një vizitor i rregullt i poligonit dhe e njihte ambientin. Ai ndodhej në poligon kur, për arsye që ende nuk janë bërë të qarta, hapi zjarr ndaj tre punonjësve.

Pas sulmit, 30-vjeçari dyshohet se mori armë dhe municione nga poligoni dhe u largua me një automjet tip “Seat Cordoba”. Mjeti, sipas informacioneve paraprake, i përkiste një prej viktimave.

Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet malazeze nisën një operacion kërkimi për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Ai konsiderohej i armatosur dhe veçanërisht i rrezikshëm, ndërsa policia u vu në lëvizje për të përcaktuar drejtimin në të cilin ishte larguar.

Automjeti u gjet më vonë, ndërsa hetuesit arritën të lokalizonin të dyshuarin në një zonë pyjore mbi lagjen Topla, në Herceg Novi. Zona ndodhet rreth 120 kilometra larg vendit ku ndodhi sulmi.

Kur efektivët e policisë e gjetën dhe e rrethuan, situata u përshkallëzua. Sipas informacioneve paraprake, 30-vjeçari dyshohet se hapi zjarr ndaj policëve dhe më pas i dha fund jetës.

Nuk raportohet që ndonjë prej efektivëve të policisë të jetë plagosur gjatë përplasjes.


Pavarësisht identifikimit të autorit dhe përfundimit të kërkimit, motivi i sulmit mbetet ende i panjohur. Autoritetet po shqyrtojnë provat e mbledhura në vendngjarje, si dhe lëvizjet e 30-vjeçarit para dhe pas sulmit.

Fakti që ai dyshohet se kishte vizituar poligonin edhe në ditët e mëparshme dhe kishte kryer të shtëna provë është një prej elementeve që po hetohet nga autoritetet.

Për momentin nuk është bërë e ditur nëse autori kishte ndonjë konflikt të mëparshëm me viktimat, nëse kishte ndonjë lidhje personale me ta apo nëse sulmi ishte planifikuar më herët.

Hetuesit pritet të analizojnë gjithashtu mënyrën se si ai siguroi armët dhe municionet, si dhe lëvizjet e tij pas largimit nga Danilovgradi.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Malin e Zi, ndërsa autoritetet kanë shpallur dy ditë zie kombëtare në nderim të tre viktimave.

Policia dhe organet hetimore vijojnë punën për të rindërtuar minutë pas minute atë që ndodhi në poligonin e qitjes dhe për të zbardhur motivin e sulmit.

Vrasja e trefishtë dhe më pas vetëvrasja e autorit kanë ngritur shumë pikëpyetje, ndërsa hetimet pritet të japin më shumë detaje mbi rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike.

Top Channel