Harry Kane dhe trofeu i Topit të Artë: Përpiqem të mos e mendoj, por është e vështirë
Shqetësim te Bayern Munich për gjendjen shëndetësore të trajnerit Vincent Kompany.
Sipas raportimeve të mediave gjermane “Bild” dhe “Sky”, tekniku belg është transportuar në një spital në Mynih, pasi dyshohet se është rrëzuar pas përfundimit të stërvitjes së skuadrës.
Deri më tani, klubi bavarez nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar apo detaje të mëtejshme për situatën.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat gjermane, një mjek i urgjencës është thirrur për të asistuar trajnerin, ndërsa një helikopter raportohet se ka zbritur më herët në ambientet stërvitore të Bayernit, në Säbener Straße.
Rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa tifozët presin një njoftim zyrtar nga klubi për gjendjen e 40-vjeçarit.
Shqetësimet për shëndetin e trajnerit belg vijnë pas disa ditësh gjatë të cilave ai kishte vuajtur nga një infeksion viral.
Për këtë arsye, Kompany kishte munguar në seancën e fundit stërvitore dhe në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së Champions League kundër Arsenalit, e cila përfundoi në barazim 2-2.
Megjithatë, pavarësisht problemeve shëndetësore, tekniku ishte rikthyer në pankinë për ndeshjen e zhvilluar në “Allianz Arena”.
Pas sfidës, Kompany kishte folur edhe për gjendjen e tij fizike, duke pranuar se kishte kaluar një javë të vështirë për shkak të virusit.
“Si trajner, gjithmonë dëshiron të bësh gjithçka. Javën e kaluar kalova një virus mjaft të rëndë dhe, natyrisht, nuk e dëgjova trupin tim. Në një moment, trupi më tha: ‘Tani ndalo!’”, ishte shprehur ai.
Për momentin, informacionet për transportimin e Kompanyt në spital bazohen në raportimet e mediave gjermane, ndërsa nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Bayern Munich që të sqarojë gjendjen e tij shëndetësore.
Top Channel