Tragjedia në brigjet e Qipros/ Konfirmohen 7 viktimat e para nga përmbysja e tragetit, vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit

30/08/2026 14:55

Një traget pasagjerësh i kompanisë Filo Shipping u përmbys në brigjet e Qipros, pak pas nisjes nga porti i Kyrenia (Girne), në pjesën veriore të ishullit.

Sipas autoriteteve lokale, të paktën 7 persona kanë humbur jetën deri më tani, ndërsa 159 nga 270 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit janë shpëtuar deri më tani. Lajmi është bërë i ditur nga Murat Şenkul, kryetari i bashkisë së Kyrenias, nga ku ishte nisur trageti.

Operacionet e kërkim-shpëtimit nisën menjëherë pas aksidentit dhe vazhdojnë ende, me pjesëmarrjen e një tjetër anijeje dhe një helikopteri.

Trageti ishte nisur drejt portit turk të Taşucut, por u përmbys pak pasi la portin. Shkaqet e incidentit nuk janë bërë ende të ditura.

Ministria e Shëndetësisë deklaroi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një reagim të shpejtë nga ekipet e shpëtimit dhe shërbimet mjekësore.

Pamjet e transmetuara nga mediat turke tregojnë tragetin e përmbysur në ujë, ndërsa disa prej personave në bord shihen me jelekë shpëtimi. Në zonë ndodheshin edhe disa anije që iu bashkuan operacioneve të shpëtimit.

Në momentin e aksidentit, kushtet atmosferike ishin të mira dhe moti ishte i kthjellët. Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e përmbysjes së tragetit.

Top Channel