Katastrofa në Nepal-Tibet ‘kambanë alarmi’, ekspertët: Shkrirja e akullnajave dhe ngrohja globale rrisin rrezikun e përmbytjeve
Më shumë se dy vjet pas incidentit fatal në një fluturim të Singapore Airlines, ku një 73-vjeçar britanik humbi jetën pas turbulencave të forta, bashkëshortja e tij ka nisur procedurat ligjore kundër kompanisë ajrore.
Linda Kitchen, 74 vjeçe, nga Thornbury në Mbretërinë e Bashkuar, ka paraqitur çështjen në Gjykatën e Lartë britanike. Ajo kërkon, ndër të tjera, mbështetje financiare për të përballuar trajtimin e specializuar për dëmtimet e rënda të shtyllës kurrizore që pësoi gjatë incidentit.
Linda dhe bashkëshorti i saj, Jeff Kitchen, po udhëtonin nga Aeroporti Heathrow i Londrës drejt Singaporit në maj të vitit 2024, kur avioni u përball me turbulenca të forta mbi Mianmar.
Sipas avokatëve të familjes, avioni humbi rreth 6,000 metra lartësi gjatë incidentit, ndërsa më pas u devijua drejt Bangkokut, ku kreu një ulje emergjente.
Linda ka rrëfyer momentet e tmerrit gjatë fluturimit, duke thënë se turbulencat ishin aq të forta sa mendoi se avioni kishte dalë jashtë kontrollit.
“Ndihesha sikur avioni po binte. Pashë Kindle-in tim dhe telefonin e Jeff-it në dysheme dhe mendova se avioni po binte jashtë kontrollit”, ka treguar ajo.
Gjatë rënies së menjëhershme të avionit, Jeff ra mbi bashkëshorten e tij, duke bërë që ajo të goditej fort në mbështetësen e krahut të sediljes.
Pasagjerët arritën ta lëviznin Jeff-in, ndërsa një mjek që ndodhej në bord nisi menjëherë përpjekjet për reanimimin e tij.
Pas uljes emergjente në Bangkok, Linda u dërgua në spital, ndërsa Jeff mbeti në avion. Ajo mësoi vetëm dy ditë më vonë se bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë. Sipas familjes, ai kishte pësuar një atak në zemër pas incidentit.
Linda qëndroi 10 ditë në spital përpara se të kthehej në Britani. Pas mbërritjes në Bristol, ajo u shtrua sërish në spital dhe, pas daljes, kishte nevojë për ndihmë të konsiderueshme në shtëpi për shkak të dëmtimeve.
Avokatja e saj, Anthi Korelidou, e specializuar në çështjet e ligjit të aviacionit, tha se pasojat e incidentit tregojnë qartë forcën e jashtëzakonshme të turbulencave.
Sipas saj, familja kërkon ende përgjigje për rrethanat e incidentit dhe nëse mund të ishte bërë më shumë për të parandaluar pasojat e rënda.
Linda Kitchen kërkon që hetimet të jenë sa më të plota, ndërsa çështja ligjore në Gjykatën e Lartë britanike pritet të përcaktojë edhe përgjegjësitë dhe mbështetjen që ajo mund të marrë për dëmtimet e pësuara.
Top Channel