Përmbytjet katastrofike në Nepal-Tibet/ 633 të vdekur, kërkimet për rreth 2,500 të zhdukurit vazhdojnë

29/08/2026 07:54

Bilanci i përmbytjeve katastrofike që goditën Nepalin të mërkurën ka shkuar në 626 viktima, sipas policisë nepaleze, ndërsa në Tibet janë raportuar të paktën 7 të vdekur.

Sipas të dhënave të autoriteteve, të cilat janë në përditësim të vazhdueshëm, në Nepal rezultojnë të zhdukur 2,326 persona, nga të cilët 517 janë të huaj. Në Kinë, numri i të zhdukurve është 554, përfshirë 260 shtetas të huaj.

Agjencia e Nepalit për Menaxhimin e Fatkeqësive bëri me dije se 933 punonjës të hidrocentralit Trishuli 3A rezultojnë të zhdukur. Hidrocentrali ndodhet pranë kufirit me Kinën, ndërsa disa të mbijetuar dyshohet se kanë mbetur të bllokuar në tunelet e impiantit.

Ekipet e shpëtimit po përpiqen t’i nxjerrin ata, por kushtet e vështira në terren po pengojnë përpjekjet për të lokalizuar hyrjet e tuneleve.

Sipas Kryqit të Kuq, deri në 93,000 persona të mbijetuar janë prekur nga fatkeqësia.

Shanset për të gjetur të mbijetuar po zvogëlohen ndjeshëm, ndërsa ekipet e shpëtimit përballen me vështirësi për të arritur në zonat e prekura. Kushtet e rënduara kanë vështirësuar edhe shpërndarjen e ujit të pijshëm dhe furnizimeve bazë.

Në anën tjetër të kufirit, në Tibet, reshjet e dendura, rrugët e bllokuara, terreni i vështirë dhe rreziku i përmbytjeve të reja po pengojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.

Zona e fatkeqësisë në Tibet është e mbyllur për gazetarët e huaj, ndërsa informacioni për situatën vjen kryesisht nga mediat shtetërore kineze.

Si në Tibet, ashtu edhe në Nepal, përmbytjet kanë sjellë masa të mëdha akulli dhe balte, duke shkaktuar formimin e liqeneve të mëdha. Këto liqene rrezikojnë të tejmbushen ose të shemben, duke kërcënuar me përmbytje dhe shkatërrime të reja, si dhe duke rrezikuar operacionet e shpëtimit dhe të ndihmës humanitare.

Top Channel