Nga Ilir Demalia

Lumi Acheron ndodhet në Epirin e Jugut, në veriperëndim të Greqisë. Është rreth 52 kilometra i gjatë dhe derdhet në Detin Jon. Por Acheroni nuk është thjesht një lumë. Që në antikitet, ai ka qenë i lidhur me botën e nëndheshme, me kufirin që ndante botën e të gjallëve nga ajo e të vdekurve. Lumi i dhimbjeve, i lotëve, i mundimeve.

E përmend edhe Homeri në veprat e tij, ndërsa në mitologjinë greke Acheroni ishte një nga lumenjtë e botës së nëndheshme.

Sot, mijëra vite më vonë, mijëra vizitorë vijnë çdo ditë për të përjetuar një tjetër Acheron. Në kulmin e sezonit, gjatë korrikut dhe gushtit, numuri i vizitorëve arrin në 2.000 vetë në ditë.

Çfarë e bën kaq të veçantë?

Kanionet magjepsëse nëpër të cilat rrjedh lumi, shkëmbinjtë e thepisur, gjelbërimi dhe uji i kristaltë, por akull i ftohtë, krijojnë një peizazh që duket sikur nuk i përket kësaj bote. Uji, që në disa segmente është jashtëzakonisht i ftohtë, të mpin këmbët, por njëkohësisht të jep një ndjesi të çuditshme freskie e gjallërie.

Për rreth 5 kilometra ecën nëpër shtratin e lumit. Herë mbi gurë, herë mes ujit, herë duke u mbajtur pas shkëmbinjve. Në disa vende, ujëvarat e vogla të bëjnë masazh natyral mbi shpatulla e trup. Është një rrugë e mundimshme, por edhe një rrugë që të shpërblen në çdo hap.

Këmbët bëhen akull nga uji i ftohtë. Trupi lodhet. Por, kur del nga lumi, ke një ndjesi të çuditshme lehtësie. Sikur trupi të falënderon

Përveç hiking-ut nëpër lumë, Acheroni ofron edhe rafting dhe aktivitete të tjera ujore përgjatë rrjedhës së tij.

Por ajo që më bëri më shumë përshtypje nuk ishte vetëm natyra. Ishte sjellja ndaj natyrës.

Gjatë gjithë ecjes, herë pas here gjeje ndonjë shkëmb ku uleshe për të pushuar. Dhe, ndërsa këmbët të bëheshin akull nga uji brisk i ftohtë, shikoje përreth dhe nuk shihje një qese plastike, një shishe të hedhur, një mbetje ushqimi. Asgjë.

Nuk kishte policë me bllok gjobash. Nuk kishte punonjës që të rrinin pas turistëve për t’u thënë: “Mos e hidh këtu!”

Jo. Nuk kishte.

Turistët që kishin ardhur nga gjithë bota mbaronin ushqimin, pinin ujin apo pijen dhe ambalazhin e fusnin përsëri në çantë.

Sepse natyra nuk kishte nevojë për polic.

Kishte nevojë për ndërgjegje.

Nuk duhet gjithmonë shteti për të ruajtur atë që të jep jetë. Mjafton ndonjëherë respekti për vendin ku ke ardhur dhe dashuria për atë që ke përpara syve.

Gjatë rreth 5 kilometrave ecje nëpër lumë, pashë vetëm një shishe plastike të hedhur.

Nuk e di i ç’kombësie ishte ai që e kishte hedhur. Po shqiptar, besoj, nuk ishte.

Kur përfundon rrugën e mundimshme nëpër lumë, kthehesh në qendrën turistike, nga u nise ku të presin dyqane të vogla me suvenire artizanale dhe simbole të historisë së lashtë. Aty ku mitologjia dhe turizmi bashkohen natyrshëm.

Përgjatë lumit, aty ku kalojnë rafting-et, janë edhe restorantet e thjeshta. Pa mermer. Pa luks të panevojshëm. Dyshemeja me zhavorrin e lumit. Tenda kashte që çmontohen. Tavolina plastike, të gjitha të thjeshta, praktike, të përshtatura me natyrën.

Çmimet shumë të përballueshme.

Restorantet ishin plot. Ata që ktheheshin nga hiking-u në lumë ndalonin aty, hanin, pinin dhe pushonin. Pa zhurmë të panevojshme, pa arrogancë, pa atë ndjesinë se turisti është thjesht një portofol që duhet hapur.

Mikpritja? Ajo ishte në nivelin që ne shqiptarët shpesh themi se është vetëm e jona.

Pa britma. Pa fytyra të ngrysura. Pa njerëz që të hakërrehen pse shtrive peshqirin në rërën e Zotit. Pa debate për parkimin, sepse parkingu ishte falas, si në lumë, ashtu edhe në plazh.

Dhe aty fillon krahasimi që të vjen vetvetiu. Kemi edhe ne një lumë të tillë. Vjosën.

Nga Përmeti deri në Malin e Melesinit, natyra shqiptare të lë pa fjalë. Kam qenë vitin e kaluar dhe jam mrekulluar nga ajo që kam parë. Shqipëria është bekuar me një natyrë të jashtëzakonshme. Me lumenj, male, kanione, dete e lugina që mund të jenë pasuri të jashtëzakonshme turistike.

Natyra na e ka dhuruar Zoti.

Por robi shqiptar?

Kjo është pyetja që të mbetet në mendje kur kthehesh nga Acheroni.

Sepse problemi ynë nuk është se nuk kemi bukuri. Bukuri kemi me bollëk. Problemi është marrëdhënia që kemi me të.

Faik Konica e kishte kuptuar këtë shumë herët. Në artikullin “Shqipëria si m’u duk”, botuar në Dielli më 25 tetor 1929, ai shkruante:

“Ky vend (Shqipëria) vërtet është i bekuar me njëmijë bukurira, por është e shkelur nga një turmë, e cila ushqen urrejtje kundër bukurisë.”

Kanë kaluar gati një shekull nga ato fjalë.

Por kur sheh Acheronin dhe pastaj mendon për Vjosën, për kanionet tona, për lumenjtë tanë, për plazhet dhe malet tona, kupton se fjalët e Konicës ende tingëllojnë të dhimbshme.

Acheroni, lumi i dhimbjeve dhe i lotëve në mitologjinë e lashtë, sot është kthyer në një vend ku mijëra njerëz vijnë për të gjetur bukurinë, freskinë dhe qetësinë.

Ndoshta kjo është ironia më e bukur.

Një lumë që dikur besohej se të çonte drejt botës së nëndheshme, sot të mëson si duhet të jetosh me natyrën.

Dhe ndoshta, para se të kërkojmë më shumë turistë për Vjosën, duhet të mësojmë të mos e shkelim bukurinë që Zoti na ka falur. Sepse natyra nuk kërkon shumë. Vetëm pak respekt.

Dhe një qese më pak në tokë.

Top Channel