Aksident i frikshëm në Paraguai/ Kamioni me frena të prishura përplaset me disa makina në semafor, tre të vdekur
Presidenti amerikan Donald Trump e paraqiti si një sukses të administratës së tij rënien më të madhe të çmimeve të barnave me recetë në Shtetet e Bashkuara në më shumë se 60 vjet, duke ngritur në duar një artikull të Washington Post.
Por përmbajtja e artikullit që ai zgjodhi të shfaqte publikisht arrin në një përfundim krejt tjetër, një pjesë e rëndësishme e kësaj uljeje lidhet me masat e miratuara gjatë presidencës së Joe Biden.
Shtëpia e Bardhë i dha jehonë të madhe momentit, duke publikuar një fotografi, ku Trump shfaqet duke mbajtur faqen e gazetës me titullin dhe rreshtat e parë të artikullit.
Gjatë një aktiviteti, presidenti amerikan e ngriti artikullin dhe u kërkoi gazetarëve të shihnin titullin.
“Titulli kryesor i sotëm është pikërisht ky. A e patë?”, tha Trump, përpara se të lexonte pjesën e parë të artikullit dhe të shtonte: “Në rregull, e kuptuat? A e kuptuan të gjithë? Ju thashë se kjo do të ndodhte”.
Trump u bëri gjithashtu thirrje gazetarëve që ta përhapnin lajmin.
Ndërsa Trump e përdori titullin si dëshmi të suksesit të politikave të tij, artikulli i Washington Post theksonte se rënia e çmimeve të barnave mund të lidhet kryesisht me një politikë të miratuar gjatë administratës Biden.
Bëhet fjalë për Aktin e Reduktimit të Inflacionit, të miratuar në vitin 2022. Ligji i dha programit Medicare mundësinë të negociojë drejtpërdrejt me kompanitë farmaceutike për çmimet e disa prej barnave me recetë më të përdorura dhe më të shtrenjta.
Uljet e para të çmimeve të negociuara në kuadër të këtij procesi hynë në fuqi në fillim të vitit 2026.
Sipas të dhënave të Indeksit të Çmimeve të Konsumatorit, çmimet e barnave me recetë ranë me 3.1% në korrik, duke shënuar rënien më të madhe vjetore të regjistruar në më shumë se gjashtë dekada.
Të dhënat u publikuan nga Byroja e Statistikave të Punës (BLS), drejtorin e të cilit Trump e shkarkoi një vit më parë, pasi u publikuan të dhëna më të dobëta se sa pritej për tregun e punës. Në atë kohë, presidenti i cilësoi shifrat si “të rreme”.
Ekspertët e politikave shëndetësore janë skeptikë ndaj pretendimit se rënia e çmimeve është rezultat kryesor i politikave të administratës Trump.
POV: you bring the receipts.
➡️ Prescription drug prices record sharpest drop in more than 60 years. pic.twitter.com/v00kCY2D3D
— The White House (@WhiteHouse) August 15, 2026
Richard Frank, profesor i ekonomisë shëndetësore në Universitetin e Harvardit, tha për Washington Post se, nëse do të duhej të përcaktonte faktorin me ndikimin më të madh, do të zgjidhte ndërhyrjet që lidhen me Aktin e Reduktimit të Inflacionit, dhe jo iniciativat e administratës aktuale.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Stacy Dusetzina, profesore e politikave shëndetësore në Universitetin Vanderbilt. Ajo e konsideroi ligjin e miratuar gjatë presidencës Biden si shpjegimin më të mundshëm për rënien e çmimeve.
Deri tani, vetëm 10 barna janë përfshirë në negociatat e çmimeve. Megjithatë, Dusetzina theksoi se bëhet fjalë për barna të përdorura gjerësisht, ndaj ulja e çmimeve të tyre mund të ketë ndikim të ndjeshëm në indeksin e përgjithshëm të barnave me recetë.
Pavarësisht përmbajtjes së artikullit, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë vijuan ta paraqisnin rënien e çmimeve si një rezultat të politikave të Trump.
Drejtori i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë reagoi në rrjetin social X duke shkruar: “Gjithçka falë Presidentit Trump!”
Top Channel