Një hartë probabilitare e rrezikut për zjarre
Nga Preç Zogaj*
Dje vajtuam ndarjen nga jeta të Davës, Davidës siç e quanim të vegjël.
Ndarjen në frymë, në shikim, në dhimbjet e trupit dhe shpirtit që arrinte t’i shprehte me tkurrjet e pazëshme të vuajtjeve, klithmës.
Në mendim dhe kujtesë na kishte lenë pak nga pak më parë.
E ka pas mbaruar me të gjitha dhjeta shkollën tetëvjeçare. Këndonte, lexonte libra jashte klase, shkruante vjersha. Rritej si një vajzë që gërshetonte harmoninë e formave të jashtme me shkëlqimin, domethëne intiligjencën, sipas përkufizimit që jep Platoni për bukurinë – merret vesh se këtë e kam menduar kështu shumë kohë me vonë. Na magjepste ne të vegjëlve me historitë që na tregonte në kopshtin ngjitur me shtëpinë, me përrallat, me gjë a gjëzat, me kuriozitetet pa fund nga gjeografia, astronomia. Ishte një hartë e madhe fjalësh e sysh, një përmasë tej përfytyrimeve tona e universit nga fshati Manati afër Lezhes. U kishte vënë shumë krahë ëndrrave të saj, mësuesit e aritmetikës, guhë-leximit, biologjisë dhe muzikës i parashikonin një të ardhme të majave, cilëndo lëndë të zgjidhte për t’u shkolluar më tej.
Në vitin 1967 i shkroi letër Enver Hoxhës, pasi mori lajmin se nuk ishte dhënë asnjë e drejtë studimi nga organet e partisë dhe pushtetit në fshat. Kërkonte të lejohej të vazhdonte shkollën e mesme pedagogjike ose të konkuronte në Liceun Artistik.
Vetë Enver Hoxha, siç u tha atëherë në fshat, dërgoj për verifikim një instruktor të Komitetit Qëndror që erdhi i shoqëruar nga një instruktor i Komitetit të Partisë së Lezhës. Verifikimi konfirmoi arsyet e ndalimit të vajzukes: dy dajat e të jatit, Gjin dhe Ndue Jaku, pra kushërirë e dytë me ta, ishin të pushkatuar si armiq të partisë dhe pushtetit popullor. Sakaq i binte të ishte kushërirë e tretë me familjen e Pal Gjin Zogajt, të shpallur kulakë si ish pronarë tokash dhe refuzues të kolektivizimit.
Qielli u zu për Davidën. E ardhmja iu nxi. Ëndrrat iu shemben. Vetëm qante.
Në klasën e tetë i pati rënë në dorë një libër që nuk gjendej në bibliotekëne e vogël të shkollës dhe as në prezantimet që bënte nëpër shkolla libraria e Lezhës. Libri titullohej “Lulet e mollës”, autori ishte Xhon Giollsuorth. U prek shumë nga subjekti i atij libri të cilin ma dha ta lexoja dhe unë, pavarësisht se isha i vogël – libri i parë në jetën time nga një autor i huaj, që u bë edhe njëlloj sekreti mes saj dhe meje.
Shumë shpejt, Migena, heroina e librit, vajza e mrekullueshme si prej ajri nga provinca, që u josh të dashurohej me Frenkun, një pinjoll i klasës së lartë, sikur do t’i takste diçka prej fatit të vet një simotre të saj rreth tetëdhjetë vjet më vonë në një fshat të Shqipërisë Veriperëndimore. Ku i jati, pavarësisht se një mendje më e hapur se plot të tjerë për atë kohë, nuk i rezistoi mjedisit të prapambetur konservator në fshat për të kuptuar e respektuar një ëndërr të pastër platonike të së bijës adoleshente.
Dy thyrje të mëdha në nisje të jetës për nxënësen ekselente. (Si për të provuar se karma ka një kujtesë rivendikuese, një vajzë tjetër e familjes pak vite më vonë, Mira, do të dashurohej me Avdinë, një djalë i mrekullueshëm nga Lezha. Dhe nuk do të prisnin as ajo, as ai të bindnin familjet për “herezinë”, por do të fillonin jetën në çift me rrëmbim, sipas një termi të kohërave të kalorësisë. Dhe do të jetonin me nder e dinjtet sot e gjthë ditën duke lindur e rritur tri vajza yll të bukura, duke u bërë disa herë gjyshër dhe së fundi stërgjyshër).
Jeta është romanciere e pashoqe e historive njerëzore. Dava njohu gëzimet e saj me sjelljen në jetë të dy vajzave dhe një djali, u bë pesë herë gjyshe, eci në jetë si një grua punëtore dhe e fortë. Ndërtuan me burrin e dytë, Manushin, shtëpinë dhe një restorant të vogël në pronën e tyre në Lezhë, ajo rifitoi buzëqeshjen e hershme dhe interesin për librin, jetonte në virtutin e bujarisë si gratë me zemër të madhe që ndihen më të pasura kur dhurojnë, ndajnë, ndihmojnë të afërmit, nevojtarët.
Në zgrip të moshës së tretë jeta e saj merr një trajektore dramatike dhe kjo është arsyeja pse po i ndaj me lexuesit këto rreshta. Si shumë e shumë familje anë e mbanë vendit, ajo dhe i shoqi vendosen të zhvillojnë pronën ku kishin shtëpinë dhe lokalin duke ia dhënë për ndërtim një sipërmarrësi me emër në qarkun e Lezhës. Marrin një shtëpi me qera, fillojnë punë të tjera në pritje të ndërtimit të pallatit ku do të përfitojnë tridhjetë përqind të sipërfaqes së banimit dhe njësive të biznesit.
Pallati fillon e merr formë kat pas kati, përfundon si karabina dhe me suvatimet, por ngadalëson në vazhdim. Merret vesh se sipërmarrësi ka vështirësi fiananciare të vazhdojë punimet. Ai është futur në një seri trasaksionesh e borxhesh. Ka marrë këste me parapagim nga rreth gjashtëdhjetë blerës apartamentesh. Ka shtyrë pronarët e truallit të venë peng pjesë të sipërfaqes takuese për të financuar vazhdimin e pallatit. U është lutur dhe ia ka arritur që këta, nga e keqja, të vënë kolateral tokën truall të pallatit për t’i mundësuar sipërmarrësit të marrë katërqind mijë euro kredi.
E keqja më e madhe s’ka ndodhur akoma. Në janar të vitit 2011 del lajmi se sipërmarrësi, pas një shkëmbimi mesazhesh me fjalë të rënda, ka vrarë në një lokal buzë rrugës së re Milot -Laç dy burra, të cilëve, sipas ndërtimit të ngjarjes nga prokuroria, u ka ka marrë 100 mijë euro borxh. Dënohet në mungesë me 25 vjet heqje lirie. Për trembëdhjetë vjet me radhë qëndron i fshehur.
Gjatë gjithë këtyre viteve, Dava dhe Manushi janë përpjekur dhe kanë mumdur t’i dergojnë mesazhe përmes avokatëve dhe të afërmeve ku i kanë kërkuar të lejojë sipas rregullave, me një përfaqësues legal të interesave të tij, përfundimin e pallatit nga ndërtues gjenerozë dhe miq, që pranonin të investonin kundrejt një fitimi mjaft modest për shkak të parapagimeve, borxheve dhe kredisë së papaguar. Të ndodhi çfarë të ndodhi, na vjen keq, por nuk mund të mbash peng, me gisht në gojë, pronarët e truallit dhe kreditoret që të kanë parapaguar – ky është lajtmotivi komunikimeve të tyre në distancë me të dënuarin në arrati. Zakonisht asnjë mesazh prej tij. As nga pjesëtarët e familjes së tij. Nganjëherë ndonjë “zotim” absurd: “Do ta mbaroj pallatin, i kam marrë masat, rrini pa merak”. E njëjta përgjigje edhe nga burgu i Fierit ku po kryen dënimin me 25 vjet heqje lirie pas kapjes nga polica në një shtëpi në Fier para dy vitesh. Adenisi, djali i Davës dhe Manushit, shkoi dhe e takoi në burg. I kërkoi të njëjtën gjë: të hiqte dorë edhe formalisht nga roli investitorit duke qenë në pamundësi absolute për të mbaruar pallatin e shlyer detyrimet ndaj gjashtëdhjetë e ca familjeve. Sërish mori prej tij “garancitë” se do ta përfundonte shumë shpejt!
Pronarët e trullit i janë drejtuar gjatë kohës gjykatës, që ka marrrë vendim të formës së prerë, duke u njohur edhe fitimin e munguar në bazë të llogaritjes së qirasë për gjithë periudhën e vonesës në dorëzimin e objektit. Me sa di edhe disa nga kreditorët që kanë parapaguar këste kanë bërë të njëjtën gjë. Por pallati ka mbetur si fantazmë, pa dyer, pa dritare, pa instalime.
Kjo kaq qenë përiudha kur duke e pritur e pritur pa shpresë, pushtuar nga dëshpërimi edhe një ndjenjë e padrejtë faji që kishin humbur gjithë katandinë për një karabina betoni, Dava të humbte për herë të tretë e të fundit ëndrrën dhe buzeqeshjen, të fillonte të pinte, të sëmurej, të pësonte disa goditje cerebrale, të zinte shtratin, të shtynte ditët në përqafimin e dhimbjeve të patregueshme shpirtërtore dhe jo vetëm, të dobësohej sa të mos njihej, të humbte për orë e orë të tëra praninë në këtë botë, derisa hoqi frymën e fundit.
Zoti që i dha paqen u bë vdekja e saj.
Do t’i mbaja për vete keto evokime të dhimbshme dhe plot kujtime të tjera nga motra ime e madhe, mësuesja ime e fëmijërisë falë së cilës u dashurova me librin dhe poezinë.
Por gjithë kohës me sillet në kokë një pyetje me vlerë publike jo vetëm për rastin e sime motre dhe burrit të saj, por edhe për shumë raste të tjera të ngjashme: Çfarë bën shteti apo pushteti kur sheh se marrëdhëniet konraktuale mes subjekteve private degradojnë në atë shkallë sa njëra prej palëve shndërrohet në fatekeqësi pa fund për palën tjetër?
Përgjigja dihet. Ndërhyjnë me forcën e ligjit dhe tagrat e misionit për të cilin ekzistojnë.
Vetë ligji ka në subastancë kuptimin e mbrojtjes. Mbrojtja në rastin konkret ka të bëjë me kreditoret e lënë me gisht në gojë pas kaq vitesh, më demët e mëdha të pësuara nga pronarët e truallit, në një rrethanë kur vendimet e formës së prerë të gjykatës ndeshin në ngërçe formale për t’u zbatuar pa reflektimin e tyre në institucionet e legalizimit, me tejkalimin pa cak të afateve të lejes së ndërtimit, me mbrotjen e mjedisit dhe pamjes së qytetit nga ndertime që nuk mbarojnë kurrë.
Përndryshe jeta do të ishtë xhungël. Siç e bë fatkeqësisht për motrën time të ndjerë. Me shpresë dhe besim se nuk do të vazhdojë të jetë e tillë asnjë ditë më shumë për burrin, djalin, renë dhe nipin e saj.
*Drejtori i MAPO
Top Channel