Mister rreth Mojtaba Khameneit, burime izraelite: Lideri suprem nuk ndodhet më në Iran

19/07/2026 13:24

Raportime të reja kanë ngritur pikëpyetje mbi situatën e brendshme në Iran, pasi rrjeti televiziv saudit Al-Hadath, duke cituar një burim të sigurisë izraelite, pretendon se udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, nuk ndodhet më në territorin iranian.

Sipas raportimit, Mojtaba Khamenei, i cili mori drejtimin e Republikës Islamike pas vdekjes së babait të tij, Ali Khamenei, në sulmet SHBA-Izrael më 28 shkurt, nuk është shfaqur publikisht që nga marrja e detyrës. Deri tani, ai ka komunikuar vetëm përmes deklaratave me shkrim.

Një prej këtyre mesazheve u transmetua së fundmi nga televizioni shtetëror iranian, ku lideri suprem paralajmëronte Shtetet e Bashkuara për pasoja në rast të rifillimit të luftës.

“Tani që armiku amerikan po kërkon të rifillojë luftën, duhet ta dijë se kombi iranian dhe fronti i rezistencës kanë mësime të paharrueshme për t’i dhënë”, thuhej në deklaratën e publikuar. Ai akuzonte gjithashtu SHBA-në për shkelje të memorandumit të mirëkuptimit të Islamabadit, duke deklaruar se “firma e presidentit amerikan nuk ka vlerë”.

Megjithatë, sipas të njëjtit burim të cituar nga Al-Hadath, këto deklarata nuk janë shkruar nga vetë Mojtaba Khamenei, por nga kreu i ri i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Ahmad Vahidi, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të lartë të këtij institucioni.

Burimi izraelit pretendon gjithashtu se brenda Iranit ekzistojnë mosmarrëveshje të thella, të cilat, sipas tij, kanë arritur në një nivel që rrezikon edhe vetë ekzistencën e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.

Në të njëjtën kohë, sipas të njëjtit raportim, Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë që Izraeli të marrë pjesë në një operacion të ri ushtarak amerikan kundër Iranit, edhe nëse Teherani ndërmerr një sulm ndaj Izraelit.

Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga autoritetet iraniane, amerikane apo izraelite lidhur me raportimet e publikuara.

Top Channel