“Ai nuk është kriminel”/ Mbi 20 vite në SHBA, deportohet nga Amerika berberi shqiptar. Mesazhi i xhaxhait të tij: U bë viktimë e kriminelëve, nuk kishte faj që viza…

20/07/2026 09:13

Për gati dy dekada, Besnik “Nik” Shembitrasi ndërtoi jetën e tij në Shtetet e Bashkuara.

Ai punoi si berber në zonën e Çikagos, u martua me një shtetase amerikane, krijoi familje dhe rriti një vajzë.

Por në maj të vitit 2026, ai u arrestua nga Zyra Amerikane e Imigracionit dhe Doganave (ICE) pranë banesës së tij në Illinois dhe më pas u deportua në Shqipëri, duke i dhënë fund jetës së tij 20-vjeçare në SHBA.

Rasti i tij ka ngjallur reagime në komunitetin shqiptar dhe amerikan. Xhaxhai i tij, Frank Shemitraku, pronar i disa berberhaneve në Illinois, tha se Niku ishte mashtruar kur kërkoi të emigronte në SHBA.

“Ata premtojnë: ‘Unë të marr vizë’. Kishte shumë djem të tillë. Por viza ishte false. Nuk ishte faji i tij. Ai pagoi paratë për të ardhur në SHBA”, u shpreh xhaxhai i tij.

Sipas tij, shumë shqiptarë në vitet pas rënies së komunizmit ranë pre e personave që premtonin dokumente të rregullta emigrimi.

“Ai punoi shumë dhe i pagoi paratë. Ai u bë viktimë e kriminelëve”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, ICE deklaroi se Shembitrasi kishte hyrë në SHBA në vitin 2005 me një pasaportë italiane të falsifikuar dhe se në vitin 2008 kishte marrë një urdhër përfundimtar dëbimi, të cilin nuk e kishte zbatuar. Agjencia e cilësoi atë si një “të huaj të paligjshëm kriminal”.

Historia mori jehonë edhe më të madhe pasi shkrimtari amerikan Bill Ward publikoi një ese kushtuar berberit shqiptar, të cilit i kishte prerë flokët për shtatë vjet. Ai e përshkroi Nikun si një njeri punëtor dhe të përkushtuar ndaj familjes, duke pranuar se kishte shkelur ligjin e emigracionit, por duke theksuar se ekziston një dallim mes asaj që është e ligjshme dhe asaj që është e drejtë.

Eseja përfundon me fjalët:

“Ky nuk është, në asnjë mënyrë kuptimplotë, një ‘kriminel’. Ky është Niku Berberi. Shqiptar nga lindja, amerikan në shpirt.”

Top Channel