Tragjike në Itali/ Gjendet i djegur trupi i gazetarit 53-vjeçar, hetimet zbulojnë se ishte ekzekutuar me plumb para se t’i vihej flaka

19/07/2026 18:37

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Italinë.

Trupi i pajetë dhe i djegur i 53-vjeçarit Luigi Esposito, i njohur si Luca Esposito, është gjetur në orët e para të mëngjesit të 19 korrikut në një zonë të izoluar në distriktin Cioffi, përgjatë rrugës shtetërore 7bis, në komunën Eboli, provinca e Salernos.

Alarmi u dha rreth orës 03:30, pasi një zjarr në shkurre shpërtheu në një zonë të fshehur nga rruga kryesore. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit për të shuar flakët dhe karabinierët për të siguruar zonën. Pas fikjes së zjarrit, u zbulua trupi i një burri, i djegur pothuajse plotësisht, shkruan Corriere della Sera.

Në vendngjarje mbërriti edhe prokurori i gatshëm i Salernos, Alessandro Di Vico, i cili nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Identifikimi i viktimës u bë pas disa orësh. Sipas ekzaminimeve të para mjeko-ligjore, në trupin e Luca Espositos u konstatua një plagë e shkaktuar nga armë zjarri. Pranë trupit u gjet edhe një gëzhojë, duke forcuar dyshimet se 53-vjeçari ishte ekzekutuar fillimisht dhe më pas autorët i kishin vënë flakën trupit për të fshehur gjurmët e krimit.

Luigi Esposito ishte me origjinë nga Nocera Inferiore dhe punonte në ARPAC, Agjencinë Rajonale të Kampanjës për Mbrojtjen e Mjedisit. Gjatë karrierës së tij kishte shërbyer në Avellino dhe Caserta, ku merrej kryesisht me kontrollet mjedisore në fermat e buajve.

Përveç profesionit si biolog, ai ishte i diplomuar edhe në Letërsi dhe prej vitit 2012 ushtronte aktivitet si gazetar i pavarur. Esposito drejtonte portalin sportiv “Tutto Salernitana” dhe bashkëpunonte edhe me kanalin televiziv Otto Channel.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të kësaj vrasjeje të rëndë.

Top Channel