Fundoset trageti në brigjet e Guajanës në Amerikën e Jugut/ Dhjetëra persona të zhdukur, 67 të tjerë shpëtohen nga autoritetet

19/07/2026 19:10

Dhjetëra persona rezultojnë ende të zhdukur pasi një traget u fundos në brigjet e Guajanës, në Amerikën e Jugut, mbrëmjen e së shtunës (18 korrik), ndërsa në bord ndodheshin gjithsej 133 persona.

Sipas autoriteteve, deri më tani janë shpëtuar 67 persona, mes tyre 15 fëmijë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në përpjekje për të gjetur të mbijetuarit e tjerë.

Mediat lokale raportojnë se një kullë e kontrollit të trafikut ajror mori një sinjal emergjence në orën 23:01, sipas orës lokale, nga trageti MV Barima, çka çoi në nisjen e menjëhershme të operacionit të kërkim-shpëtimit.

Anija u fundos në Oqeanin Atlantik, ndërsa ishte duke lundruar drejt fshatit Port Kaituma. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur portin nga i cili ishte nisur trageti dhe as shkaqet e fundosjes.

Kryeministri i Guajanës, Mark Phillips, deklaroi se operacioni i kërkim-shpëtimit do të vazhdojë derisa të jenë shteruar të gjitha mundësitë për gjetjen e personave të zhdukur.

Ndërkohë, ministri i Shërbimit Publik dhe Aviacionit, Deodat Indar, njoftoi se janë ngritur qendra të posaçme për të informuar dhe mbështetur familjet e personave që ndodheshin në bord.

Top Channel