Pas humbjes në zgjedhje, Brazili i anulon pasaportat Flavio Bolsonaro, dyshohet se mund të jetë arratisur

27/10/2026 19:36

Autoritetet braziliane kanë anuluar pasaportat e senatorit, Flavio Bolsonaro, pasi ai nuk zbatoi urdhrin e Gjykatës së Lartë për dorëzimin e dokumenteve brenda afatit të caktuar. Vendimi vjen në kuadër të hetimeve për pastrim të dyshuar parash, akuzë të cilën ai e mohon.

Policia federale në Brazil po verifikon nëse Bolsonaro është larguar nga vendi, pas përfundimit të afatit për dorëzimin e pasaportave. Sipas një burimi policor të cituar nga “BBC News Brasil”, autoritetet po kontrollojnë pikat kufitare për të përcaktuar nëse senatori mund të ketë udhëtuar drejt Argjentinës.

Megjithatë, autoritetet argjentinase i kanë deklaruar BBC-së se nuk kanë asnjë të dhënë që Flavio Bolsonaro të ketë hyrë në vend përmes pikave kufitare.

Të hënën, Gjykata e Lartë e Brazilit i kërkoi senatorit të dorëzonte pasaportat në polici brenda 24 orëve, në kuadër të një hetimi për pastrim të dyshuar parash. Bolsonaro kishte deklaruar më herët se nuk kishte ndërmend të largohej nga Brazili dhe se do të qëndronte në vend për të udhëhequr opozitën ndaj rivalit të tij të majtë, presidentit Luiz Inacio Lula da Silva.

Senatori 45-vjeçar është gjithashtu nën hetim për korrupsion të dyshuar lidhur me financimin e një filmi për të atin, ish-presidentin Jair Bolsonaro, i cili është dënuar për komplot për grusht shteti dhe ndodhet në arrest shtëpiak.

Ndërkohë, të martën, Gjykata e Lartë urdhëroi policinë të hetonte edhe fushatën elektorale të Flavio Bolsonaro-s, për dyshime mbi financimin e saj nga burime të huaja.

Flavio Bolsonaro pësoi një humbje të thellë në balotazhin presidencial të së dielës, ku u mund nga presidenti në detyrë Lula da Silva. Sipas rezultateve të raportuara, Lula mori 51,79% të votave, ndërsa Bolsonaro 48,21%.

Pavarësisht rezultatit, Bolsonaro nuk e ka pranuar humbjen dhe ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve. Ai pretendon se është vënë në disavantazh nga zgjatja me dy orë e procesit të votimit ditën e zgjedhjeve, ndonëse kjo zgjatje ishte kërkuar nga të dyja partitë.

Bolsonaro e cilësoi vendimin si një “manovër të pistë”. Megjithatë, Partia Liberale, të cilën ai përfaqëson, e ka pranuar rezultatin zgjedhor, megjithëse ka deklaruar se zgjatja e orarit të votimit meriton hetim.

Autoritetet braziliane vijojnë verifikimet për vendndodhjen e senatorit dhe rrethanat e mosdorëzimit të pasaportave, ndërsa hetimet për financimin e fushatës dhe dyshimet për pastrim parash mbeten në proces.

Top Channel