Zbulohet laboratori i drogës në Hagë, arrestohen katër persona, evakuohen banorët pranë për shkak të rrezikshmërisë së substancave

18/07/2026 19:25

Një lagje në Hagë të Holandës është evakuuar pasi policia zbuloi një laborator të paligjshëm ku dyshohet se prodhoheshin droga sintetike.

Mediat e huaja raportojë se katër persona janë arrestuar në lidhje me rastin, ndërsa autoritetet po kryejnë një operacion për çmontimin e laboratorit.

Banorët e zonës u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre pasi në ambientet e laboratorit u gjetën substanca dhe materiale potencialisht të rrezikshme. Ky ishte evakuimi i dytë brenda 24 orëve në të njëjtën zonë, pasi laboratori ishte zbuluar një ditë më parë.

Sipas policisë holandeze, katër të arrestuarit janë burra të moshave nga 34 deri në 71 vjeç. Hetuesit dyshojnë se laboratori përdorej për prodhimin e MDMA-së dhe pilulave ekstazi.

Rreth 150 banorë u larguan nga banesat e tyre gjatë ndërhyrjes së ekipeve speciale, të cilat hoqën nga zona depozita me qindra litra substanca që mund të paraqisnin rrezik.

Autoritetet lokale thanë se zbulimi i një laboratori të tillë në një zonë të banuar është një rast i pazakontë dhe kërkon masa të veçanta sigurie për shkak të rrezikut nga materialet kimike.

Policia dhe bashkia po vijojnë punën për pastrimin e zonës dhe largimin e substancave të rrezikshme, ndërsa banorët pritet të rikthehen në shtëpitë e tyre pasi operacioni të përfundojë.

 

 

Top Channel