Frika nga Le Pen, pakt Macron-Merz, të shqetësuar nëse fiton zgjedhjet presidenciale drejtuesja e ekstremit të djathtë në Francë

18/07/2026 12:02

Partneriteti franko-gjerman u shfaq këtë javë më i afërt se kurrë, me katër takime mes kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, si dhe konsultime të përbashkëta ministrore.

Pas show-t të unitetit, megjithatë duket se fshihet një shqetësim i përbashkët: mundësia që Marine Le Pen të fitojë zgjedhjet presidenciale franceze në vitin 2027. Sipas ekspertëve, një fitore e Le Pen do të trondiste bashkëpunimin mes Berlinit dhe Parisit. Jacob Ross, nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme, paralajmëron se një skenar i tillë do të sillte humbje të menjëhershme të besimit dhe do të vështirësonte bashkëpunimin politik e administrativ mes dy vendeve.

Edhe Stefan Seidendorf, nga Instituti Franko-Gjerman, thekson se pasojat do të ndiheshin jo vetëm në politikë, por edhe në ekonomi, administratë, partneritetet mes qyteteve dhe programet e shkëmbimit të të rinjve. Shqetësimi lidhet me faktin se Le Pen përfaqëson një qasje më nacionaliste dhe më pak të orientuar drejt integrimit europian. Me Emmanuel Macron që nuk mund të kandidojë më dhe sondazhet që i japin Le Penit shanse reale për fitore, Berlini po ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Francë.

Pavarësisht kësaj pasigurie, Merz dhe Macron po përpiqen të forcojnë partneritetin franko-gjerman përmes bashkëpunimit në mbrojtje, mbështetjes për Ukrainën dhe projekteve të reja ushtarake. Vetë kancelari gjerman ka theksuar se Gjermania do të mbajë “dorën e shtrirë” drejt Francës, pavarësisht se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.

Top Channel