SHBA ashpërson rregullat për studentët dhe gazetarët e huaj/ Kufizime në kohëzgjatjen e qëndrimit, ndryshime edhe në vlefshmërinë e vizave

17/07/2026 15:02

Një tjetër lajm për ashpërsimin e rregullave për vizat mbërrin nga SHBA-ja e këtë herë, në fokusin e administratës amerikane janë studentët dhe gazetarët e huaj.

Masat e reja të miratuara së fundi kufizojnë kohëzgjatjen e qëndrimit për disa kategori të vizave të të huajve, duke përfshirë studentët ndërkombëtarë, pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit dhe përfaqësuesit e mediave.

Sipas rregullores së re të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, vizat F për studentët, vizat J për pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit kulturor dhe vizat për gazetarët nuk do të jenë më të vlefshme pa një afat të përcaktuar. Deri tani, këto kategori vizash u lejonin të huajve të qëndronin në Shtetet e Bashkuara për aq kohë sa zgjaste programi i studimit apo angazhimi i tyre profesional.

Me rregullat e reja, qëndrimi për studentët dhe pjesëmarrësit në shkëmbime do të kufizohet në maksimumi katër vjet. Për gazetarët e huaj, kufizimi do të jetë edhe më i shkurtër: deri në 240 ditë, ndërsa për shtetasit kinezë periudha do të jetë vetëm 90 ditë. Rregullorja pritet të hyjë në fuqi 60 ditë pas publikimit në Regjistrin Federal, nëse nuk përballet me pengesa gjatë procesit të shqyrtimit.

Kritikët e masave thonë se ndryshimet mund të krijojnë vështirësi të mëdha për studentët ndërkombëtarë. Sipas tyre, një periudhë 30-ditore, sic parashikohet tani, mund të jetë e pamjaftueshme për ata që kërkojnë punë ose një mënyrë tjetër ligjore për të qëndruar në vend. Në bazë të rregullave të reja, personat që duan të qëndrojnë përtej afatit të përcaktuar do të duhet të kërkojnë zgjatje të qëndrimit ose të largohen nga SHBA-ja dhe të aplikojnë sërish për hyrje të re.

Top Channel