Kina i ka cilësuar si “trillime të pastra” deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili në një fjalim televiziv riktheu akuzat për ndërhyrje kineze në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2020.
Trump deklaroi se Pekini kreu “hakerimin më të madh të të dhënave zgjedhore në histori”, duke pretenduar se Kina siguroi në mënyrë të paligjshme 220 milionë dosje të votuesve amerikanë dhe tentoi të manipulonte procesin zgjedhor në favor të rivalit të tij të atëhershëm, Joe Biden.
Në reagimin e tij, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime.
“Akuzat e bëra nga pala amerikane nuk janë gjë tjetër veçse trillime të pastra dhe shpifje dashakeqe, të cilat prej kohësh janë vërtetuar si të pabaza”, deklaroi ai gjatë një konference për shtyp.
Sipas tij, Kina nuk ka pasur asnjë interes dhe nuk ka ndërhyrë kurrë në zgjedhjet amerikane.
“Përkundrazi, bashkësia ndërkombëtare e sheh qartë se kush është ai që zakonisht ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera”, shtoi Lin Jian.
Zëdhënësi u bëri gjithashtu thirrje autoriteteve amerikane të ndalojnë, sipas tij, akuzat e pabazuara ndaj Pekinit dhe të punojnë për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Trump ka përsëritur vazhdimisht pretendimin se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 iu “vodhën” nga Joe Biden. Megjithatë, këto pretendime nuk janë mbështetur me prova. Dhjetëra padi të ngritura pas zgjedhjeve u rrëzuan nga gjykatat, ndërsa edhe zyrtarë të administratës së tij kanë deklaruar se nuk u gjetën prova për mashtrim zgjedhor që do të ndryshonte rezultatin.
Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se do të deklasifikojë dokumente, për të cilat pretendon se mbështesin akuzat e tij për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020.
Top Channel