Video/ Kuvajti shkatërron në ajër 32 dronë “armiqësorë”, Irani vazhdon të shënjestrojë objektivat kritike në vend
Shpërthime janë raportuar në qytetet Ahvaz dhe Bushehr, në jug të Iranit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë vijuar për të pestën natë radhazi sulmet ndaj objektivave iraniane.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Mehr, e cila citon zëvendësguvernatorin e provincës Khuzestan, shpërthime janë dëgjuar në Ahvaz. Ndërkohë, agjencia shtetërore IRNA raportoi për shpërthime edhe në qytetin Bushehr.
Në të njëjtën kohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se në orën 21:00, ka nisur vala e pestë e sulmeve ndaj Iranit, me synimin për të dobësuar më tej aftësitë ushtarake të vendit.
Më herët, mediat iraniane raportuan gjithashtu për shpërthime në ishullin Qeshm, si edhe në Bandar Abbas dhe Chabahar.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, deklaroi se Irani vazhdon të komunikojë me Shtetet e Bashkuara dhe se synon të arrijë një marrëveshje.
“Arsyeja e sulmeve të ditëve të fundit është se Irani shkeli memorandumin e mirëkuptimit që kishim”, u shpreh Levitt.
Ajo shtoi se, sipas memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar, autoritetet iraniane nuk duhej të hapnin zjarr ndaj anijeve tregtare që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit.
“Por, për fat të keq, ata morën vendimin tragjik për ta bërë këtë”, deklaroi Levitt.
Sipas saj, Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për anijet që nuk udhëtojnë drejt ose nga portet iraniane, ndërsa Marina Amerikane vazhdon të jetë e pranishme në zonë për të garantuar sigurinë e lundrimit.
Top Channel